zoom

Aktualitet

Akademikët shqiptarë të diasporës mbështesin protestat: Rinia zgjoi shoqërinë nga apatia

Akademikët shqiptarë të diasporës mbështesin protestat: Rinia zgjoi shoqërinë nga apatia

Një grup prej 123 akademikësh dhe studiuesish shqiptarë që jetojnë e punojnë në vende të ndryshme të botës kanë shprehur mbështetje publike për protestat qytetare që po zhvillohen në Shqipëri, duke i konsideruar ato si një reagim të gjerë ndaj problemeve të akumuluara institucionale dhe politike.

Sipas akademikëve të diasporës, protestat nuk janë thjesht shprehje pakënaqësie momentale, por pasqyrim i një krize më të thellë në funksionimin e institucioneve, në ekonomi dhe në sektorë kyç si arsimi dhe shkenca.

Në deklaratën e tyre, ata theksojnë veçanërisht rolin e të rinjve, të cilët sipas tyre kanë rikthyer debatin publik mbi nevojën për një model të ri zhvillimi në Shqipëri, të bazuar në meritokraci, transparencë dhe përgjegjshmëri institucionale.

Akademikët shprehen se situata aktuale në arsim, kërkim shkencor dhe inovacion reflekton mungesë vizioni afatgjatë dhe nënvlerësim të kapitalit njerëzor. Ata theksojnë se pa investim serioz në dije dhe institucione të forta, vendi nuk mund të sigurojë zhvillim të qëndrueshëm.

Në fund të deklaratës, nënshkruesit shprehin gatishmëri për të kontribuar me ekspertizë dhe përvojë në një proces të mundshëm reformimi, duke e konsideruar ndryshimin institucional si kusht të domosdoshëm për të ardhmen e vend.

Deklarata e plotë:

Ne, një grup akademikësh shqiptarë jashtë vendit, shprehim mbështetjen dhe solidaritetin tonë të plotë me protestat paqësore qytetare në Shqipëri dhe me kërkesat e tyre legjitime për një Shqipëri të re, të qeverisur me përgjegjshmëri, transparencë dhe drejtësi, me institucione që u shërbejnë qytetarëve, jo pushtetit.

Besojmë se shumë nga sfidat me të cilat përballet Shqipëria sot janë rezultat i dështimeve të përsëritura politike dhe institucionale, të cilat për shumë vite kanë dobësuar besimin e qytetarëve te shteti, te drejtësia dhe te mundësia për të ndërtuar të ardhmen në vendin e tyre.

Për këtë arsye, protestat e sotme nuk janë thjesht një reagim ndaj një situate të momentit, por shprehje e një lodhjeje të thellë shoqërore me modele qeverisjeje që nuk kanë vepruar në funksion të së mirës së përbashkët. Ne e shohim këtë krizë edhe përmes gjendjes së arsimit, shkencës dhe inovacionit në Shqipëri. Politikat e ndjekura ndër dekada nuk i kanë vendosur këta sektorë dhe kapitalin njerëzor në qendër të zhvillimit të vendit. Përkundrazi, ato kanë toleruar nën financimin, mungesën e meritokracisë, dobësimin e integritetit akademik, lidhjet klienteliste dhe mungesën e një vizioni afatgjatë për dijen si interes kombëtar. Pa arsim cilësor, pa kërkim shkencor serioz, pa inovacion dhe pa meritokraci, nuk mund të ketë zhvillim të qëndrueshëm, ekonomi konkurruese apo institucione të forta demokratike.

Një shoqëri nuk mund të ecë përpara duke nënvlerësuar dijen, duke dobësuar universitetet, duke larguar të rinjtë si dhe duke trajtuar aftësinë, kompetencën dhe punën e ndershme si vlera dytësore. Për këtë arsye, gjendja e arsimit, shkencës dhe inovacionit nuk është një çështje sektoriale, por një tregues i drejtpërdrejtë i dështimit të modelit qeverisës të deritanishëm.

Mungesa e financimit të qëndrueshëm, ndërhyrjet politike, autonomia universitare e brishtë, standardet e dobëta dhe mungesa e lidhjes me zhvillimin ekonomik janë pjesë e së njëjtës krize që sot qytetarët po e kundërshtojnë me të drejtë në rrugë. Shqipëria po humbet prej vitesh një pjesë të konsiderueshme të të rinjve dhe profesionistëve të saj të kualifikuar. Për të ndryshuar këtë realitet, duhet të rikthehet besimi se dija, puna dhe merita vlerësohen dhe krijojnë mundësi reale për të ardhmen.

Si akademikë dhe kërkues shqiptarë jashtë vendit, shprehim gatishmërinë tonë për të kontribuar me ekspertizë dhe përvojë në një të ardhme ku një Shqipëri e re ndërton institucione serioze në shërbim të interesit publik dhe u jep arsimit, shkencës dhe inovacionit vendin që meritojnë. Por ky kontribut nuk mund të shkëputet nga nevoja për ndryshim të thellë politik dhe institucional, të kërkuar sot me të drejtë nga qytetarët protestues që çdo ditë demonstrojnë se një Shqipëri e re është e mundshme. E ardhmja e Shqipërisë nuk mund të ndërtohet pa dije.

Një vend që nuk vlerëson arsimin, shkencën, inovacionin dhe kapitalin e vet njerëzor dobëson vetveten. Një Shqipëri e re kërkon jo vetëm ndryshim politik, por edhe shkëputje të qartë nga dështimet shumëvjeçare që e kanë mbajtur vendin larg potencialit të tij./ Zoom.al

Postime të lidhura