zoom

Aktualitet

Protesta e 18, pjesë e tubimit edhe dhitë. Qytetarët nisin marshimin në rrugët e kryeqytetit

Protesta e 18, pjesë e tubimit edhe dhitë. Qytetarët nisin marshimin në rrugët e kryeqytetit

Qindra qytetarë t u mblodhën mbrëmjen e së mërkurës në protestën e 18-të radhazi në Tiranë, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Tubimi nisi në sheshin “Skënderbej” në orën 19:00 dhe më pas protestuesit marshuan përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, për t’u ndalur para godinës së Kryeministrisë. Gjatë protestës u mbajtën fjalime nga qytetarë të grupmoshave të ndryshme, të cilët ngritën shqetësime që lidhen me koston e jetesës, pensionet, emigracionin, arsimin, shëndetësinë dhe qeverisjen e vendit.

Një pensionist deklaroi se shumë të moshuar po përballen me vështirësi ekonomike dhe se pensionet nuk mjaftojnë për të mbuluar shpenzimet bazë, përfshirë ilaçet, energjinë elektrike dhe shërbimet e tjera të domosdoshme. Ai bëri thirrje që protestat të vazhdojnë deri në realizimin e kërkesave të qytetarëve.

Në tubim morën pjesë edhe të rinj, pedagogë, aktivistë dhe familjarë me fëmijë, të cilët theksuan nevojën për meritokraci, mundësi më të mira për brezin e ri dhe forcimin e institucioneve demokratike.

Një element simbolik i protestës ishin edhe disa dhi që ishin sjellë në bulevard nga protestuesit.

Pas fjalimeve para Kryeministrisë, protestuesit nisën marshimin në rrugët kryesore të kryeqytetit.

Ndërkohë, protestat kanë marrë mbështetje edhe nga një grup prej 123 akademikësh dhe studiuesish shqiptarë të diasporës, të cilët përmes një deklarate publike shprehën solidaritet me protestuesit dhe kërkuan një model të ri zhvillimi për vendin, të mbështetur te dija, meritokracia, drejtësia dhe institucionet funksionale./ Zoom.al

Postime të lidhura