zoom

Aktualitet

Pensionisti në protestë: S’kemi lekë as për ilaçe, po mbijetojmë me vështirësi

Pensionisti në protestë: S’kemi lekë as për ilaçe, po mbijetojmë me vështirësi

Gjatë protestës së 18-të që po zhvillohet në Tiranë kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama, një qytetar i moshuar është ankuar për gjendjen ekonomike të pensionistëve në vend.

Ai u shpreh se shumë të moshuar jetojnë me pensione të ulëta, të cilat sipas tij nuk mbulojnë as nevojat më bazike si ushqimi, qiratë dhe ilaçet.

Sipas tij, një pjesë e madhe e pensionistëve marrin rreth 100 mijë lekë të vjetra në muaj, një shumë që nuk mjafton për përballimin e kostos së jetesës.

Pensionisti theksoi se situata është bërë e vështirë për të moshuarit, të cilët shpesh detyrohen të zgjedhin mes shpenzimeve jetike dhe mjekimeve të nevojshme.

Në fjalën e tij gjatë tubimit, ai akuzoi gjithashtu klasën politike për keqmenaxhim ndër vite dhe për mungesë përmirësimi të kushteve të jetesës, duke thënë se pakënaqësia e qytetarëve nuk lidhet vetëm me çështje të veçanta, por me gjendjen e përgjithshme në vend.

Ai shtoi se protestat duhet të vazhdojnë deri në realizimin e kërkesave të qytetarëve dhe ndryshimeve të thella politike dhe ekonomike.

“Edhe ne, si më të moshuar pak, jemi përpjekur që t’ju ndjekim nga pas dhe t’ju mbështesim. Unë flas në emër të pensionistëve, asaj shtrese që ka vuajtur si në atë regjim, edhe në këtë. Ka 35 vite që këta vetëm mashtrojnë, vjedhin, korruptojnë njerëz të ndryshëm, duke filluar nga Amerika e deri në fund të botës. Nuk kanë lënë gjë pa korruptuar dhe komprometuar.

Pensionistët, në radhë të parë, po vuajnë për bukën e gojës. Një pjesë e mirë nuk marrin më shumë se 100 mijë lekë të vjetra në muaj. Ku do t’i përdorin ato? Për ilaçe, për qira, për ujë, për drita. Kurse ky plehra këtu harxhon për një vakt ato lekë, mos më shumë.

Ne këtu nuk protestojmë vetëm për Zvërnecin dhe Sazanin, por për çdo skaj të Shqipërisë që po shitet dhe paratë nuk i përfiton populli, por ky i gjati, dy metroshi, me klanin e vet të qenve. Ndaj nuk duhet ta ndërpresim protestën tonë deri në pikën e fundit të energjive tona. Të mbushet sheshi çdo natë edhe më shumë”, tha ai./ Zoom.al

Postime të lidhura