Aplikacion
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla replikoi me kreun e PD-së, Sali Berisha në Kuvend në lidhje me protestuesit që kanë dalë pasdite prej dy javësh kundër qeverisë dhe të gjithë klasës politike.
Berisha mbrojti protestuesit dhe kërkoi largimin e menjëhershëm të kryeministrit Edi Rama, duke akuzuar Qeverinë për dëmtim të mjedisit dhe trashëgimisë kulturore.
Por Balla i tha Berishës se është i fundit që mund të flasë në emër të protestuesve, ndërsa e sfidoi që t’u bashkohej atyre në shesh.
Sipas Ballës, ai ka kontribuuar në një nga kërkesat e protestuesve, të cilët kërkojnë edhe burgosjen e Berishës, pasi ka bërë një kallëzim ndaj tij në institucionet e drejtësisë.
Ndërkohë gjatë kohës që Balla po mbante fjalën, deputeti i PD Flamur Noka ndërhyu me akuza e ofendime në drejtim të deputetit të PS.
“I fundit në këtë sallë që mund të flasë në emër të protestuesve është ky politikani këtu (drejtuar Berishës). Nëse do të zbatosh, unë të sfidoj Sali Berisha sot pasdite shko në protestë. Shkon dot në protestë? Provoje po ta mbajti.
Personalisht nga ana e protestuesve meritoj një falënderim se kam kontribuuar në një prej kërkesave të protestuesve. Unë e kam bërë një kallëzim për ty. I ftoj ta marrin në shqyrtim.
E mbani mend ditën e parë të protestës, i quajte sikur i kemi nxjerrë ne. Ditën e dytë the që je kundër protestës. Ndërkohë që sot del zotrote jam përfaqësues i protestës. Je i fundit që mund të na bësh ndërmjetësit me protestuesit.”, tha Balla.
Ndërkohë kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, nga foltorja e Kuvendit deklaroi se parlamenti sipas tij nuk mund të trajtojë çështje tjetër përveç axhendës së qytetarëve në protestat e zhvilluara.