Aplikacion
Sot shënohet dita e 19-të e protestave që nisën fillimisht në Zvërnec dhe më pas u shtrinë në Tiranë e qytete të tjera, duke u kthyer në një nga lëvizjet qytetare më të mëdha të viteve të fundit. Ajo që nisi si një kundërshtim ndaj një projekti turistik në një zonë të mbrojtur është shndërruar në një revoltë popullore, që po kërkon një restart (fillim të ri), duke bërtitur në shesh rrëzimin e qeverisë dhe largimin e klasës politike ekzistuese, të të gjitha kaheve.
Protestat filluan në fund të muajit maj, pasi banorë të zonës dhe aktivistë kundërshtuan vendosjen e rrethimeve dhe fillimin e punimeve përgatitore në zonën e Pishë Poros, pranë Lagunës së Nartës. Situata u tensionua më 30 maj, kur gjatë një proteste një qytetar u tërhoq me forcë nga persona të sigurisë private, pamje që u shpërndanë gjerësisht në rrjetet sociale dhe u kthyen në pikën e kthesës së protestës. Pas kësaj, demonstratat u zhvendosën edhe në Tiranë, ku çdo mbrëmje qytetarët janë mbledhur për të kërkuar pezullimin e projektit dhe jo vetëm.

Në qendër të debatit është projekti për zhvillimin e një resorti luksoz në ishullin e Sazanit dhe në zonën bregdetare të Zvërnecit, pranë peizazhit të mbrojtur Vjosë–Nartë. Investimi lidhet me sipërmarrësin amerikan Jared Kushner dhe partnerët e tij, ndërsa qeveria shqiptare i ka dhënë statusin e investimit strategjik.
Projekti parashikon hotele luksoze, vila turistike, marina, ambiente rekreative dhe infrastrukturë të re turistike. Qeveria e konsideron atë një investim me vlerë miliarda euro, që synon ta kthejë zonën në një destinacion elitar të turizmit mesdhetar.

Kundërshtarët e projektit argumentojnë se zhvillimi prek një nga ekosistemet më të rëndësishme të Shqipërisë, habitat i flamingove, pelikanëve, breshkave të detit dhe shumë specieve të tjera të mbrojtura. Ata shprehin shqetësime edhe për mungesën e transparencës në procedurat e miratimit, ndikimin mjedisor, çështjet e pronësisë së tokave dhe kufizimin e aksesit publik në bregdet.
Për shumë protestues, çështja ka tejkaluar tashmë vetëm mbrojtjen e mjedisit dhe është kthyer në një simbol të kërkesës për më shumë llogaridhënie, transparencë dhe respektim të interesit publik.

Qeveria këmbëngul se projekti do të zhvillohet duke respektuar ligjin dhe standardet mjedisore. Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se nuk është miratuar ende një projekt përfundimtar për Zvërnecin, se po kryhen vetëm faza paraprake dhe se investimi do të sjellë mijëra vende pune, rritje ekonomike dhe zhvillim të turizmit me standarde të larta.
Nga ana tjetër, organizatat mjedisore, aktivistët dhe banorët kundërshtojnë këto pretendime. Ata argumentojnë se çdo ndërhyrje në një zonë me status të mbrojtur përbën rrezik për biodiversitetin dhe se zhvillimi i turizmit nuk duhet të bëhet në kurriz të trashëgimisë natyrore të vendit. Po ashtu, janë ngritur dyshime për mënyrën e administrimit të tokave dhe procedurat që kanë çuar deri te dhënia e lejeve për projektin.
Gjatë javëve të fundit, kryeministri Edi Rama ka zgjedhur tone të ashpra ndaj protestës. Ai ka mbrojtur projektin si një mundësi historike për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë dhe ka akuzuar kundërshtuesit se po përhapin dezinformim, ndërsa në deklarata publike nuk ka kursyer edhe fyerjet. Këto qëndrime kanë sjellë replika të shumta, me protestuesit që i janë përgjigjur duke deklaruar se nuk kundërshtojnë zhvillimin, por mënyrën se si ai po realizohet dhe mungesën e dialogut me qytetarët.
Edhe pse protesta lindi për të kundërshtuar një projekt konkret në jug të vendit, ajo është shndërruar në një lëvizje më të gjerë qytetare. Çdo mbrëmje, qytetarë të moshave dhe profileve të ndryshme mblidhen në Tiranë me pankarta dhe simbole si flamingot rozë, duke kërkuar mbrojtjen e mjedisit, transparencë në vendimmarrje dhe madje largim të qeverisë.
Ndërsa protesta hyn në ditën e saj të 19-të, mbetet e paqartë nëse do të ketë një dialog mes palëve apo nëse përplasja për projektin e Zvërnecit do të vazhdojë të thellohet edhe më tej.
Debati për Zvërnecin ka mbërritur edhe në institucionet evropiane. Në rezolutën e miratuar këtë javë për raportin e progresit të Shqipërisë, Parlamenti Evropian shprehu shqetësim për ndikimin që projekti mund të ketë mbi zonat e mbrojtura dhe bëri thirrje që zhvillimet të jenë plotësisht në përputhje me legjislacionin e Bashkimit Evropian për mjedisin. Eurodeputetët kërkuan transparencë në procedurat e miratimit, respektimin e standardeve mjedisore dhe garantimin e konsultimit me komunitetet lokale, duke nënvizuar se procesi i integrimit të Shqipërisë lidhet ngushtë me zbatimin e shtetit të së drejtës dhe mbrojtjen e trashëgimisë natyrore.
Protestat për Zvërnecin kanë tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare, të cilat e kanë trajtuar çështjen si një përplasje mes zhvillimit ekonomik dhe mbrojtjes së një prej zonave më të rëndësishme natyrore në Mesdhe. Agjencia Reuters, The Guardian, Al Jazeera, Euronews dhe Forbes kanë raportuar për protestat e përditshme në Tiranë, shqetësimet e organizatave mjedisore, kundërshtimin e banorëve dhe përfshirjen në projekt të investitorëve të lidhur me Jared Kushner. Shumë prej këtyre raportimeve e paraqesin çështjen e Zvërnecit si një provë për mënyrën se si Shqipëria balancon investimet strategjike me mbrojtjen e mjedisit dhe respektimin e standardeve evropiane.
Ndërsa protesta hyn në ditën e saj të 19-të, mbetet e paqartë se cili do të jetë hapi i radhës. Ajo që është e qartë, megjithatë, është se çështja e Zvërnecit ka tejkaluar prej kohësh kufijtë e një debati për një projekt turistik. Ajo është shndërruar në një përballje mes dy vizioneve për zhvillimin e vendit, ku nëse do të ketë dialog, përshkallëzim apo një zgjidhje tjetër, mbetet për t’u parë në ditët në vijim./ Zoom.al
