Aplikacion
40 vjeçari Besnik Kolndreu, i cili ka qenë në kërkim nga autoritetet shqiptare në kuadër të hetimeve për vrasjen e dyfishtë të çiftit të bashkëshortëve Kreshnik dhe Gentiana Mujeci në Balldren të Lezhës, është arrestuar në Mal të Zi.
Sipas bluve, ai u lokalizua në Ulqin dhe u dorëzua te policia shqiptare në pikën kufitare të Muriqanit dhe më pas u shoqërua në Lezhë.
Kolndreu akuzohet për “Përkrahje të autorit të krimit”, pasi dyshohet se ka ndihmuar autorët e vrasjes së dyfishtë të ndodhur më 26 prill 2026, duke fshehur në banesën e tij automjetin e përdorur prej tyre pas ekzekutimit të çiftit Mujeci.
Sipas hetimeve, mjeti është gjetur dhe sekuestruar nga policia gjatë kontrolleve të zhvilluara pas ngjarjes. Ndaj 40-vjeçarit ishte caktuar më herët masa e sigurisë “Arrest në burg” nga Gjykata e Lezhës.
Vrasja e dyfishtë ndodhi më 26 prill 2026 në aksin Balldren–Torovicë. Sipas rindërtimit të ngjarjes nga grupi hetimor, automjeti me të cilin udhëtonin Kreshnik dhe Gentiana Mujeci u ndoq nga një makinë tjetër, ndërsa një mjet pa targa u preu rrugën. Në ato momente, dy persona të armatosur zbritën nga automjeti dhe hapën zjarr me armë automatike në drejtim të çiftit, duke i lënë të vdekur në vend.
Adriano Mhillaj, 22 vjeç, Florin Mhillaj, 36 vjeç dhe Renato Mhillaj, 23 vjeç, janë shpallur në kërkim si autorë të dyshuar të krimit, ndërsa ende nuk ka asnjë të dhënë mbi vendndodhjen e tre kushërinjve.