Aplikacion
Një skeme e dyshuar të falsifikimit të dokumenteve dhe tjetërsimit të paligjshëm të pronave është zbuluar në Dibër. Blutë kanë ekzekutuar 14 masa sigurie, ndërsa tre persona të tjerë janë shpallur në kërkim.
Nga masat e vendosura nga Gjykata e Dibrës, dy persona janë arrestuar me burg, dy të tjerë janë lënë në arrest shtëpie, ndërsa për 10 persona është caktuar masa “detyrim paraqitjeje”. Mes tyre ka punonjës dhe ish-punonjës të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës në Dibër, si dhe persona të afërt me njëri-tjetrin që dyshohet se kanë përfituar nga kalimi i kundërligjshëm i pronave.
Sipas hetimeve, të zhvilluara për rreth shtatë muaj në bashkëpunim me Prokurorinë e Dibrës, zyrtarë aktualë dhe ish-zyrtarë të Kadastrës, së bashku me një notere dhe persona të tjerë, dyshohet se kanë falsifikuar dokumente dhe kanë kryer veprime administrative në kundërshtim me ligjin për të kaluar prona të paluajtshme në favor të shtetasit T. D. dhe familjarëve të tij.
Në pranga kanë përfunduar T. D. dhe F. Ç., të dyshuar për veprat penale “Mashtrimi” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”. Ndërsa masa “Arrest në shtëpi” është caktuar për një ish-specialist të matjeve në terren dhe për përgjegjësin e Sektorit të Legalizimeve në ASHK Dibër.
Po ashtu, disa juristë, hartografë dhe ish-drejtues sektorësh në ASHK Dibër po hetohen nën masën “Detyrim paraqitjeje”, ndërsa e njëjta masë është caktuar edhe për bashkëshorten e njërit prej të arrestuarve.
Ndërkohë, policia ka shpallur në kërkim zëvendësdrejtorin aktual të ASHK-së Dibër, një notere dhe një familjar të personit që dyshohet se ka përfituar nga skema. Autoritetet po vijojnë punën për lokalizimin e tyre, ndërsa hetimet mbeten të hapura për identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë aktivitet të dyshuar kriminal.