Aplikacion
Deputetja Marjana Koçeku, e cila braktisi Partinë Socialiste për të vijuar si e pavarur, ka reaguar për shembjet në Theth duke u kërkuar falje banorëve
Në një deklaratë të shpërndarë në rrjetet sociale, Koçeku shprehet se, sipas saj, ajo situatë ka qenë një nga përjetimet më të rënda për të.
“I kërkoj falje prej zemre Thethit. Ajo ngjarje ka kenë ndër goditjet ma të mëdha emocionale që kam marrë n’jetën teme,” shkruan deputetja, duke shtuar se ka qarë më shumë se kur i vdiq babai i saj.
“Unë nuk kjaj, por njato ditë kam kja ma shumë se kur m’ka vdekë baba. Betohem në 7 shenjtorët që besoj ma shumë se tash kam me ju përfaqësue si duhet. S’ka me i fye kush ma ato male siç i kanë fye,” përfundon ajo në reagimin e saj.

Deklarata e Koçekut vjen në një periudhë kur emri i saj është përfolur gjerësisht në skenën politike, pas largimit nga grupi parlamentar i PS dhe vijimit të mandatit si deputete e pavarur.
Pasi publikisht sulmoi qeverinë Rama, ajo i propozoi kryeministrit të shkojë në zgjedhje të parakohshme për të konfirmuar “83 mandatet” e fituara.
Gjithashtu ajo shokoi me një deklaratë të fortë ku pretendoi se është kërcënuar nga Bajrat e Shkodrës.
Ish-deputetja e Partisë Socialiste, Marjana Koçeku, iu drejtua me një mesazh të ashpër ku shprehej: “Ky mesazh i drejtohet Bajrajve të Shkodrës. Nëse familjes time i preket qoftë edhe një qime floku, unë s’kam me lanë pa ju shkatërrue, sa ta kem jetën.” /Zoom.al