zoom

Lajme

U largua nga grupi i PS, reagon deputetja Marjana Koçeku

U largua nga grupi i PS, reagon deputetja Marjana Koçeku

Deputetja e qarkut Shkodër, Marjana Koçeku, ka reaguar sërish publikisht pas vendimit të saj për t’u larguar nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste dhe për të vijuar mandatin si deputete e pavarur.

Rreth një ditë pas njoftimit që surprizoi radhët e politikës, Koçeku publikoi në rrjetet sociale një fotografi të një flamingoje, postim që është interpretuar si një mesazh simbolik në mbështetje të protestave të fundit dhe qëndrimeve të saj të reja politike.

Ndërkohë, largimi i deputetes ka shkaktuar paqartësi edhe brenda radhëve të socialistëve. Burime nga grupi parlamentar bëjnë me dije se disa deputetë kanë tentuar të kontaktojnë me të për të marrë sqarime lidhur me vendimin e saj, por telefoni i Koçekut rezulton i fikur.

Situata ka sjellë edhe reagime me nota humori nga disa kolegë të saj, të cilët kanë aluduar se profili i deputetes mund të jetë hakeruar, duke iu referuar postimit ku ajo njoftoi largimin nga Partia Socialiste dhe kalimin në statusin e deputetes së pavarur.

Marjana Koçeku, e njohur gjerësisht me emrin “Neomalësorja”, u bë pjesë e politikës aktive në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025. Ajo u rendit në krye të listës së mbyllur të socialistëve në qarkun e Shkodrës dhe siguroi mandatin e deputetes, pasi më herët ishte bërë e njohur për aktivitetin e saj në turizëm dhe menaxhimin e një biznesi familjar në zonën e Malësisë së Madhe./ Zoom.al

Postime të lidhura