zoom

Aktualitet

Ku ndodhet Eglant Koçi? Kërkimet shtrihen në Dajt dhe Elbasan

Ku ndodhet Eglant Koçi? Kërkimet shtrihen në Dajt dhe Elbasan

Kanë kaluar 11 ditë që nga zhdukja misterioze e 34-vjeçarit Eglant Koçi, ndërsa kërkimet e Policisë së Tiranës vijojnë intensivisht në disa zona të vendit.

Burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se kërkimet janë shtrirë edhe në zonën e Dajtit dhe në qarkun e Elbasanit, në përpjekje për të gjetur gjurmë që mund të ndihmojnë në zbardhjen e fatit të të riut.

Koçi u raportua i zhdukur më 4 qershor. Sipas të dhënave të mbledhura deri më tani, ai është parë për herë të fundit në Tiranë, në zonën pranë sheshit “Willson”, duke lëvizur me motorin e tij. Kamerat e sigurisë kanë dokumentuar disa nga lëvizjet e tij gjatë orëve të fundit para se të humbte kontaktet me familjarët dhe të afërmit.

Ndërkohë, hetimet kanë marrë një tjetër drejtim. Dyshimet e autoriteteve janë fokusuar te mundësia që 34-vjeçari të ketë rënë viktimë e një krimi, megjithëse deri tani nuk është gjetur asnjë provë përfundimtare që të konfirmojë këtë pistë. Në qendër të hetimeve ndodhet një person i konsideruar si i dyshuari kryesor, Armand Shakaj, i cili vijon të mos jetë lokalizuar nga policia.

Sipas informacioneve, një nga pikat kyçe të hetimit mbetet një ambient zyre në Tiranë, ku dyshohet se mund të ketë ndodhur edhe vrasja e Koçit. I akuzuari kryesor për rrëmbimin dhe vrasjen e mundshme të tij është shoku i tij, Armand Shakaj, që ndryshe njihet me emrin “Mand Dhelpra”. Para se të akuzohej për ngjarjen dhe të zhdukej, Shakaj kishte deklaruar në polici se Koçi i kishte treguar se po e kërcënonin.

Paralelisht, policia po heton edhe aktivitetin ekonomik të Koçit. Edhe pse ai rezultonte i punësuar në një biznes privat, hetuesit po shqyrtojnë informacione që lidhen me përfshirjen e tij të mundshme në tregun e kriptomonedhave. Kjo pistë po analizohet për të kuptuar nëse mund të ketë pasur konflikte apo interesa financiare që lidhen me zhdukjen e tij./ Zoom.al

Postime të lidhura