Aplikacion
Ky është automjeti tip Porsche të sekuestruar nga policia e Tiranës, me të cilën dyshohet se ka lëvizur Armand Shakaj, i shpallur në kërkim pasi dyshohet se ka vrarë dhe ka groposur trupin e mikut të tij Eglant Koçi.

Dyshimet se 34-vjeçari mund të jetë vrarë janë shtuar pas zbulimit të disa veglave pune në automjetin e Armand Shakajt, mes tyre edhe një lopatë me mbetje balte. Sipas hetuesve, ky element mund të lidhet me fshehjen e trupit në një zonë të izoluar, ndërsa operacioni i kërkimit vijon prej disa ditësh.
Policia bëri të ditur se kontrollet janë përqendruar kryesisht në zonat malore të Tiranës dhe Elbasanit. Hetuesit dyshojnë se trupi i të riut mund të ketë qëndruar për më shumë se 24 orë në automjetin e Shakajt. Më pas, me pretendimin se makina kishte pësuar defekt, ai dyshohet se ka siguruar një karrotrec për ta transportuar mjetin drejt zonës së Ibës.
Një nga pistat kryesore të hetimit lidhet me një konflikt të mundshëm mes dy miqve të afërt për aktivitete të paligjshme me kriptovalutat. Paralelisht po verifikohen edhe pretendime për një mosshlyerje të një shume parash.
Armand Shakaj dyshohet se jepte para me fajde dhe se me ndërmjetësimin e Eglant Koçit një shumë parash mund t’i jetë dhënë personave të tretë. Hetuesit dyshojnë se kjo shumë të mos jetë shlyer dhe përgjegjës Armand Shakaj mund të ketë bërë shokun e tij të ngushtë, Eglant Koçin.