zoom

Aktualitet

INSTAT kërkon mbi 1 miliard lekë për të numëruar lopët dhe delet

INSTAT kërkon mbi 1 miliard lekë për të numëruar lopët dhe delet

Shqipëria pritet të zhvillojë një Cens të ri të Bujqësisë, proces që synon evidentimin dhe regjistrimin e të gjitha fermave dhe aktiviteteve bujqësore në territorin e vendit. Ky operacion do të shtrihet deri në vitin 2028 dhe, sipas parashikimeve të INSTAT-it, do të kërkojë një fond prej rreth 1.08 miliardë lekësh.

Pesha kryesore e financimit është planifikuar për vitin 2026, me një vlerë prej afërsisht 978.3 milionë lekësh. Për vitin 2027 janë parashikuar rreth 66.4 milionë lekë, ndërsa për vitin 2028 rreth 32.2 milionë lekë.

Fondi i akorduar do të mbulojë pagesat për punonjësit dhe anketuesit e angazhuar në terren, kostot e mbledhjes së të dhënave, shpenzimet për udhëtime dhe qira zyrash apo automjetesh, si edhe fushatat informuese për qytetarët. Në të njëjtën kohë, një pjesë e buxhetit do të përdoret për investime në infrastrukturën teknologjike, përfshirë serverë dhe sisteme cloud për ruajtjen dhe përpunimin e informacionit të mbledhur.

Në procesin e censit do të përfshihen të gjithë personat që punojnë tokë bujqësore ose merren me rritjen e kafshëve, edhe kur prodhimi përdoret vetëm për nevojat e familjes. Anketuesit do të vizitojnë fermat dhe banesat për të mbledhur të dhëna lidhur me drejtuesin e fermës, strukturën familjare, sipërfaqet e kultivuara, llojet e kulturave bujqësore, numrin e bagëtive apo të koshereve të bletëve, si dhe mënyrën e organizimit të punës në fermë.

Legjislacioni në fuqi parashikon sanksione për ata që refuzojnë të japin informacion ose deklarojnë të dhëna të pasakta. Gjobat variojnë nga 30 mijë deri në 100 mijë lekë, në varësi të shkeljes së konstatuar.

Po ashtu, gjatë zhvillimit të censit nuk do të lejohen anketime private në zonat rurale pa autorizimin përkatës. Mosrespektimi i këtij rregulli do të shoqërohet gjithashtu me masa administrative.

Institucionet përgjegjëse sigurojnë se të gjitha të dhënat e mbledhura do të trajtohen me konfidencialitet të plotë dhe nuk do të përdoren për qëllime tatimore apo për kontrolle administrative. Identiteti i qytetarëve nuk do të bëhet publik, ndërsa rezultatet do të publikohen vetëm në formën e statistikave të përgjithshme sipas zonave të ndryshme të vendit.

Postime të lidhura