zoom

Lajme

Tri alternativat e PD-së për reformën e re territoriale

Tri alternativat e PD-së për reformën e re territoriale

Debati për ndarjen administrative-territoriale të Shqipërisë mbetet një nga kryeçështjet e axhendës politike dhe zhvillimore të vendit.

Ndërsa reforma e vitit 2014 konsolidoi territorin në 61 bashki, pasojat e saj në shpopullimin e zonave rurale dhe largimin e shërbimeve nga qytetari po rishikohen me mjaft kritikë.

Në këtë intervistë për Monitor, bashkëkryetari i reformës territoriale dhe deputeti i Partisë Demokratike, z. Luçiano Boçi, zbërthen propozimin e opozitës për rritjen e numrit të bashkive në mbi 92 njësi dhe krijimin e rajoneve të reja funksionale.

Z. Boçi argumenton se Shqipëria nuk mund të trajtohet si një territor uniform dhe se formula e re nuk bazohet mbi “pragje mekanike” popullsie, por mbi koston reale të shërbimit, identitetin historik dhe qasjen e qytetarit te shteti.

Sa kushton ky propozim, si do të ndryshojë formula e financimit nga Buxheti i Shtetit dhe cili është modeli europian që i përshtatet më mirë për të frenuar braktisjen e zonave malore e rurale? Ndiqni analizën e plotë më poshtë.

Zoti Boçi, platforma e Partisë Demokratike për reformën territoriale propozon shtimin e bashkive në 92 njësi, duke rikthyer si bashki ish-komuna apo zona rurale. Cili ka qenë pragu minimal i popullsisë dhe pavarësisë ekonomike që ekspertët tuaj kanë përdorur për të vendosur vijën ndarëse midis një zone që meriton të jetë bashki më vete dhe asaj që duhet të mbetet pjesë e një bashkie më të madhe?

Platforma jonë nuk është ndërtuar mbi një prag mekanik, vetëm mbi numrin e banorëve. Kjo do të ishte mënyra më e lehtë, por edhe më e nxituar për të bërë reformë territoriale.

Shqipëria nuk është një territor uniform. Një zonë malore, kufitare apo rurale nuk mund të matet me të njëjtin kut si një zonë urbane pranë Tiranës, Durrësit apo Fierit.

Ne konsiderojmë disa kritere njëkohësisht.

Së pari, kriterin demografik. Një masë minimale popullsie që e bën të arsyeshme ekzistencën e një bashkie funksionale. Por ky kriter nuk është absolut, sepse në zona të thella, me distanca të mëdha dhe me shërbime të largëta, edhe një bashki me popullsi më të vogël mund të jetë më e nevojshme sesa një bashki e madhe në letër, por e paarritshme për qytetarin.

Së dyti, kriterin ekonomik dhe fiskal. Analizojmë nëse ka zona me burime të veta, potenciale zhvillimi, bujqësi, turizëm, pyje, kullota, pasuri natyrore, ekonomi lokale, apo mundësi reale për të mbledhur të ardhura vendore.

Pavarësia ekonomike nuk nënkupton që bashkia të jetojë e vetme pa mbështetje nga buxheti i shtetit, sepse kjo nuk ndodh as në shumë vende europiane. Ajo nënkupton që bashkia të ketë bazë reale zhvillimi dhe jo të jetë vetëm një zyrë pagash.

Së treti, kriterin e aksesit të qytetarit te shërbimi. Të distancës nga qendra. Pyetja jonë kryesore ka qenë nëse e gjen qytetari bashkinë pranë vetes, apo duhet të humbasë një ditë pune për një certifikatë, një ankesë, një leje, një problem me shkollën, ujin, rrugën apo ndihmën sociale.

Së katërti, kriterin e identitetit territorial dhe përfaqësimit. Ka zona që historikisht kanë pasur qendër, treg, jetë komunitare, traditë administrative dhe marrëdhënie të drejtpërdrejtë me territorin. Reforma e vitit 2014 i fshiu shumë prej tyre nga harta administrative, pa i bërë realisht më të forta shërbimet.

Pra, vija ndarëse nuk është vetëm “sa banorë ka”, por “a mund të funksionojë, a mund të zhvillohet, a e afron shtetin me qytetarin dhe a e mbron territorin nga braktisja”. Pas këtij konsiderimi e analize mund të shkojmë te numri i bashkive që mund të jenë mbi 90, por dhe mbi 100. Për këtë arsye kemi ndërtuar disa alternativa:

Alternativa 1 – Rikthim i afërsisë e përfaqësimit te qytetari. Kjo parashikon rritjen e numrit të bashkive në zonat me mungesë shërbimesh. Në thelb synon krijimin e bashkive të reja aty ku distanca, shërbimet, përfaqësimi dhe identiteti vendor e kërkojnë. Kriteret: distanca mbi 15-20 km (mund të ndryshojë) nga qendra e bashkisë.

E shprehur në kohë: 30 minuta. Popullsi e mjaftueshme për funksionalitet. Sipas standardit europian: 4000 – 6000 banorë në zonat fushore-kodrinore, 1500 në zonat malore. Identitet historik i konsoliduar. Kapacitet komunitar për vetëqeverisje sipas funksioneve.

Kompetenca reale. Autonomi financiare me mbështetje të qenësishme. Kjo alternativë është e fortë sepse rikthen shërbimet bazë pranë qytetarit, rrit llogaridhënien, forcon demokracinë vendore. Nuk krijon kosto të larta shtesë nëse shoqërohet me rishpërndarje funksionesh. Frenon shpopullimin. Kjo është alternativa më koherente me filozofinë tonë, sipas së cilës pushteti duhet afër qytetarit.

Alternativa 2 – Hartë e re funksionale. Kombinohen krijimi i bashkive të reja me rishpërndarje funksionesh në qarqe. Kjo ka në thelb një qasje hibride.

Aty ku ka boshllëk shërbimesh krijohen bashki të reja. Aty ku ka mbivendosje funksionesh, ato rishpërndahen. Elementet kryesore lidhen me krijimin e bashkive të reja në zonat problematike dhe me rishpërndarje funksionesh strategjike në nivel qarku (planifikim, emergjenca, mjedisi).

Stimulohet standardizimi i shërbimeve në nivel kombëtar dhe një autonomi fiskale e rritur për bashkitë e reja.

Kjo alternativë është e fortë sepse i përgjigjet realitetit të ndryshëm të zonave të vendit, nuk është as “më shumë bashki kudo”, as “konsolidim kudo”. Është alternativë më e balancuar, duke marrë në konsideratë tendencat politike të shfaqura deri më tani.

Alternativa 3 – Decentralizim real. Parashikon bashki të reja, plus rajone 6 deri në 8, ose duke ruajtur 12 qarqet aktuale, me funksione të përcaktuara. Kjo krijon mundësinë e krijimit të bashkive të reja, por me një rajon ose qark të përcaktuar në funksione të qarta dhe të kufizuara.

Si funksionon? Bashkitë marrin shumicën e kompetencave. Rajoni ose qarku kufizohet në 3 funksione: planifikim territorial, koordinim emergjencash, projekte ndërbashkiake. Bashkitë e reja këtu krijohen aty ku ka boshllëk shërbimesh dhe identitet të fortë vendor.

Kjo alternativë forcon nivelin që është më afër qytetarit, redukton burokracinë. Jep një alternativë të qartë ndaj skenarit të PS-së për “forcim të qarkut”.

Një nga risitë e platformës suaj është shkrirja e 12 qarqeve ekzistuese në 6 rajone të mëdha (si Rajoni Tiranë-Durrës, Shkodër-Lezhë, etj.). Nga pikëpamja teknike, çfarë kompetencash ekzekutive do të kenë këto rajone dhe a do të kenë ato buxhet dhe taksa të veta, si pushtet i dytë vendor, apo do të shërbejnë thjesht si agjenci koordinuese për fondet e Bashkimit Europian?

Propozimi ynë për 6-8 rajone, ose të lënies së 12 qarqeve (mund të emërtohen dhe rajone), nuk synon të krijojë një tjetër shtresë burokratike mbi kokën e qytetarit. Shqipëria ka mjaft burokraci. Nuk ka nevojë të prodhojmë zyra të reja që të mbajnë vula të reja dhe të shpërndajnë përgjegjësi të vjetra.

Ideja jonë është që rajonet ose qarqet ekzistuese të jenë niveli i dytë i qeverisjes vendore, me funksione të qarta që bashkitë e vogla apo të mesme nuk mund t’i ushtrojnë të vetme.

Këto rajone ose qarqe duhet të kenë rol në planifikimin strategjik të zhvillimit, në koordinimin e infrastrukturës rajonale, në transportin ndërbashkiak, në menaxhimin e integruar të mbetjeve, në zhvillimin ekonomik rajonal, në turizëm, në arsimin profesional, në emergjencat civile, në mjedis dhe në projekte të mëdha që kalojnë kufijtë e një bashkie të vetme.

Po, rajonet ose qarqet duhet të kenë buxhetin e tyre. Pa buxhet, kompetenca është dekoratë. Dhe ne nuk propozojmë dekorata institucionale. Buxheti i rajoneve duhet të vijë nga tre burime: transfertë nga buxheti i shtetit, pjesë nga të ardhurat kombëtare që ndahen me nivelin vendor dhe fonde europiane apo donatorësh.

Sa për taksat, duhet të jemi të kujdesshëm. Nuk është qëllimi të shtojmë barrën fiskale mbi qytetarin. Rajonet ose qarqet mund të kenë të ardhura të posaçme, tarifa për shërbime të caktuara rajonale dhe pjesë të ndara nga taksat ekzistuese, por jo të kthehen në një makineri të re taksimi.

Pra, rajonet ose qarqet nuk duhet të jenë thjesht agjenci koordinuese për fondet e BE-së. Ato duhet të jenë nivel zhvillimi, planifikimi dhe zbatimi, sidomos për projekte që një bashki e vetme nuk i përballon dot. Nëse i lëmë vetëm si koordinatorë fondesh, rrezikojmë të krijojmë një tjetër fasadë administrative.

Opozita ka kërkuar që Transferta e Pakushtëzuar të rritet, nga afro 1% e PBB-së që është sot në të paktën 2% të PBB-së. Si do të ndryshojë formula teknike në platformën tuaj për të garantuar që paratë të mos shkojnë sërish në mënyrë disproporcionale drejt bashkive të mëdha urbane, por të ndihmojnë këto njësi të reja që ju krijoni?

Rritja e Transfertës së Pakushtëzuar nga rreth 1% e PBB-së në të paktën 2% të PBB-së është domosdoshmëri. Kërkesa jonë është deri në 4%. Pushteti vendor në Shqipëri ka marrë funksione, por nuk ka marrë para në të njëjtën masë.

Kjo është arsyeja pse shumë bashki sot janë formalisht përgjegjëse për shërbime, por realisht të pafuqishme për t’i ofruar ato.

Por vetëm rritja e shumës nuk mjafton. Nëse formula mbetet e padrejtë, paratë do të shkojnë sërish atje ku ka më shumë popullsi, më shumë konsum, më shumë kapacitet administrativ dhe më shumë ndikim politik.

Pra, bashkitë e mëdha do të bëhen edhe më të forta, ndërsa zonat rurale do të mbeten në të njëjtën varfëri administrative.

Formula duhet të ndryshojë në tre drejtime.

Së pari, duhet të ketë një komponent bazë për çdo bashki, që garanton funksionimin minimal institucional. Një bashki e vogël ka nevojë për administratë, shërbime, këshill bashkiak, mirëmbajtje, ndriçim, rrugë, ujë, pastrim, ndihmë sociale. Këto nuk zhduken vetëm sepse ka më pak banorë.

Së dyti, formula duhet të peshojë më shumë territorin, largësinë, relievin, dendësinë e ulët të popullsisë dhe koston reale të shërbimit. Të çosh shërbim në një fshat malor kushton më shumë sesa në një lagje urbane. Formula duhet ta njohë këtë realitet. Sot shpesh ndodh e kundërta. Aty ku kostoja është më e lartë, mbështetja është më e dobët.

Së treti, duhet të ketë mekanizëm barazimi për bashkitë me të ardhura të ulëta vendore. Pra, bashkitë që kanë pak bazë taksash, pak biznes, pak pronë të regjistruar dhe pak kapacitet fiskal nuk mund të lihen në mëshirë të fatit. Ato duhet të mbështeten më shumë, jo si lëmoshë, por si garanci kushtetuese për barazi shërbimesh.

Në thelb, ne propozojmë që formula të mos jetë vetëm formulë popullsie, por formulë nevoje, kostoje dhe zhvillimi. Sepse qëllimi nuk është të shpërndajmë para sipas hartës elektorale, por të ndërtojmë një shtet që nuk e braktis qytetarin vetëm se jeton larg qendrës.

Cili është modeli më i mirë i qeverisjes lokale në Europë që ju keni marrë në konsideratë, që mund të parandalojë shpopullimin e madh të vendit në zonat rurale duke rritur standardet e jetesës?

Nuk ka një model europian që mund të kopjohet mekanikisht dhe të aplikohet në Shqipëri. Kush thotë “marrim modelin francez”, “marrim modelin italian” apo “marrim modelin gjerman” pa parë realitetin shqiptar, bën më shumë propagandë sesa reformë.

Të mirë janë dhe ai slloven apo ai kroat. Por ka disa parime europiane që janë shumë të vlefshme për Shqipërinë.

Nga Franca mund të marrim idenë e ruajtjes së afërsisë së bashkisë me qytetarin dhe të bashkëpunimit ndërbashkiak për shërbime që kërkojnë shkallë më të madhe. Pra, bashkia të jetë afër qytetarit, ndërsa shërbimet e mëdha të organizohen në nivel më të gjerë.

Nga Kroacia, numrin e bashkive sipas karakteristikave të zonës. Nga Gjermania, mbështetjen nga buxheti i shtetit. Nga Italia mund të marrim modelin e rajoneve dhe lidhjen midis territorit, zhvillimit ekonomik, bujqësisë, turizmit dhe fondeve europiane.

Italia tregon se zonat rurale nuk mbahen gjallë vetëm me administratë, por me politika zhvillimi, infrastrukturë, identitet lokal dhe mbështetje ekonomike.

Nga vendet nordike mund të marrim standardin e shërbimit publik. Qytetari nuk pyetet ku banon për të marrë arsim, shëndetësi, transport, kujdes social apo shërbime bazë. Shteti e ka detyrim ta arrijë qytetarin, jo ta detyrojë qytetarin të ndjekë shtetin nga pas.

Për Shqipërinë, modeli më i përshtatshëm është një model i kombinuar me bashki më afër qytetarit, rajone ose qarqe më të forta për zhvillim dhe financim më i drejtë për zonat rurale.

Shpopullimi nuk ndalet me fjalime. Ndalet kur një familje në Kukës, Dibër, Malësi të Madhe, Përmet, Skrapar, Pukë apo Mallakastër ka shkollë afër, rrugë të mirë, ujë, internet, transport, qendër shëndetësore, mundësi pune dhe një bashki që i përgjigjet.

Reforma territoriale nuk është çështje hartash, por funksionaliteti territori. Është mbi të gjitha çështje e jetës së përditshme. Nëse harta e largon shtetin nga qytetari, ajo është hartë e gabuar. Nëse harta e afron shërbimin, zhvillimin dhe përfaqësimin, atëherë ajo është reformë e vërtetë./monitor

Postime të lidhura