Aplikacion
Protestuesit (kryesisht banorë të zonës, por edhe aktivistë) kanë hequr një pjesë të gardhit metalik të vendosur në Rrjoll të Velipojës, ku është planifikuar të ndërtohet një resort. Janë hequr edhe disa tela me gjemba.
Kjo gjë ishte paralajmëruar më herët, teksa kanë deklaruar se do të veprohet si me Zvërnecin.
Banorët e fshatit Rrjoll e kanë kundërshtuar prej disa muajsh ndërtimin e resortit turistik “Blue Borgo”, që po zhvillohet nga kompania Gener 2. Ata thonë se toka është e tyre, nuk është kompensuar si duhet dhe dokumentet e pronësisë janë kontestuar për falsifikim, duke krijuar një konflikt pronësie me firmën ndërtuese.
Në zonë ishte kreu i Policisë së Shkodrës, i cili u përpoq të komunikonte me ta.
“Policia është me ne”, “Eja mblidhuni këtu”, ishin disa nga thirrjet që dëgjoheshin në protestën që zgjati rreth 2 orë e gjysmë, ndërsa një pjesë e protestuesve mbanin pankarta në duar.
Kërkesa e tyre kryesore është pezullimi i ndërtimit, derisa çështja të zgjidhet në gjykatë.