Aplikacion
Skenat e dhunës brutale në Zvërnec, ku disa roje private goditën dhe tërhoqën zvarrë një qytetar duke e marrë brenda rrethimit të kantierit, nuk janë as incident i izoluar as rrufe në qiell të hapur.
Ato janë dëshmia më e pastër e realitetit të rrezikshëm që ka prodhur ligji i xhunglës që është instaluar prej vitesh në Shqipëri, ku më i forti bën çfarë të dojë me qytetarin e thjeshtë.
Në Zvërnec fatkeqësisht janë bërë bashkë një grusht të fortësh, ata që komandojnë xhunglën, politika, biznesi, policia dhe disa individë me të shkuar të dyshimtë.

Le t’i marrim me radhë.
Politika ka vendosur që Zvërnecin, zonën më të mbrojtur natyrore në vend ta marrë Jared Kushner, dhëndrri i presidentit Donald Trump. Ajo as ka pyetur kënd, as ka bërë referendum, e si duket as po pyet për ata që protestojnë, banorë, shoqata, ambientalistë.
Biznesi, vendas apo i huaj, sheh aty fitime të majme dhe pasi ka marrë miratimin e politikës dhe për sa kohë është në rregull me ligjin nuk e sheh të arsyeshme të marrë në konsideratë po shqetësimin e një pjese të opinionit publik. Ndërtimi i resortit është një mundësi e artë, aq më tepër kur paratë i invesojnë Kushner, sauditët dhe Katari. Për të realizuar qëllimet, grupi i bizneseve që do të investojnë në resortin luksoz në Zvërnec ka punësuar një numër të madh policësh privatë. Deri këtu është gjithçka në rregull. Por kur këta policë privatë nisin të rrahin protestuesit paqësorë, biznesi së paku duhet të distancohet prej tyre. Sot pronën private e garanton ligji dhe policia e shtetit dhe nuk mundet ta mbrojë asnjë forcë private.
Policia, njësoj si në Rrjoll, u rreshtua edhe sot kundër qytetarëve. Ajo mbrojti biznesin edhe pse u godit vetë me gaz lotsjellës nga rojet private dhe nuk lëvizi as gishtin e vogël kur pa qytetarin të tërhiqej zvarrë për dhjetra metra pasi ishte plëndosur në tokë nga grushtet e rojeve private.
Një pjesë e madhe të tokës ku do të ndërtohet resorti, siç kanë raportuar media të ndryshme, e ka pasur në zotërim Artur Shehu, një emër i njohur i kronikës së zezë në Shqipëri dhe Itali. Megjithatë deri tani nuk ka të dhëna se cili është roli i tij në këtë sipërmarrje.
Ky konglomerat duket të jetë edhe arsyeja pse rojet private sillen si strukturë paramilitare me imunitet absolut dhe dhunojnë qytetarët në sy të policisë.
Ata, si pjesa më naive e të fortëve të xhunglës e treguan sot hapur bindjen se pas tyre qëndron një mburojë aq e fuqishme, saqë nuk ka strukturë shtetërore, që mund t’u bëjë ballë.
Sot të fortët e xhunglës treguan jo vetëm muskujt përballë qytetarëve të pambrojtur, por edhe mendësinë me të cilën operojnë në këtë vend. / Zoom.al