Aplikacion
Policia e Shtetit ka arrestuar punonjësin e shoqërisë private të sigurisë, i cili u filmua duke goditur me grusht një qytetar gjatë protestës së zhvilluar një ditë më parë në zonën e Zvërnecit, në Vlorë.
Bëhet fjalë për shtetasin Gerald Biba, 32 vjeç, banues në Durrës, i cili, sipas policisë, u identifikua dhe u shoqërua pas publikimit të pamjeve filmike që qarkulluan në media dhe rrjetet sociale.

Sipas njoftimit zyrtar të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ndaj tij rëndojnë akuzat për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë” dhe “Plagosja e lehtë me dashje”.
Nga hetimet paraprake rezulton se Biba ka goditur me grusht shtetasin me iniciale E. S., ndërsa më pas, në bashkëpunim me dy persona të tjerë të proceduar penalisht, A. G. dhe G. V., e kanë tërhequr me forcë drejt zonës së rezervuar për rojet e sigurisë, duke i shkaktuar dëmtime të lehta fizike.
Ngjarja ndodhi gjatë protestës së banorëve të fshatit Zvërnec, të cilët kundërshtojnë punimet dhe aktivitetin në zonën e njohur si “Portonovë”. Tubimi u shoqërua me tensione dhe përplasje, ndërsa pamjet e publikuara treguan momente dhune ndaj një prej protestuesve, duke shkaktuar reagime të shumta publike.
Pas ngjarjes, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit urdhëroi ngritjen e një grupi të posaçëm hetimor për të analizuar të gjitha rrethanat dhe veprimet e ndodhura gjatë protestës.
Paralelisht me hetimin penal, është urdhëruar edhe nisja e një hetimi disiplinor nga Drejtoria e Standardeve Profesionale për të gjithë zinxhirin komandues të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, lidhur me mënyrën e menaxhimit të tubimit dhe masat e marra gjatë protestës./ Zoom.al
Festa e çmendur për titullin botëror të Spanjës përfundon në tragjedi, humb jetën 13-vjeçari