zoom

Aktualitet

Lamallari reagon për dhunën në Zvërnec, kërkon hetim të plotë për rojet private dhe zinxhirin e policisë

Lamallari reagon për dhunën në Zvërnec, kërkon hetim të plotë për rojet private dhe zinxhirin e policisë

Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, ka reaguar pas tensioneve dhe incidenteve të regjistruara gjatë protestës së zhvilluar në Zvërnec, ku punonjës të sigurisë private u përfshinë në dhunimin e protestuesve.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Lamallari theksoi se projekti në Zvërnec lidhet me një pronë private dhe mohoi pretendimet se qeveria ka falur tokë për investitorët.

Sipas tij, prona në fjalë u është kthyer pronarëve të ligjshëm dhe është regjistruar në hipotekë vite më parë.

“Qeveria shqiptare as ka falur tokë dhe as ka tokë për të falur”, shprehet Lamallari, duke nënvizuar se bëhet fjalë për një pronë tërësisht private.

Megjithatë, ai thekson se kjo nuk i jep asnjë të drejtë rojeve private të përdorin forcë ndaj qytetarëve dhe kërkon që përgjegjësit të përballen me ligjin.

Sipas Lamallarit, përveç ndjekjes penale ndaj individëve të përfshirë në incident, duhet të përfundojë sa më shpejt edhe hetimi administrativ ndaj kompanisë së sigurisë për mënyrën e ushtrimit të aktivitetit të saj.

“Çdo devijim nga këto parime do të goditet përmes bashkëpunimit të strukturave drejtuese të policisë dhe Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore”, deklaroi ai.

Reagimi i plotë:

  1. Projekti i Zvërnecit lidhet me një tokë tërësisht private dhe qeveria shqiptare as ka falur tokë, as ka tokë për të falur – jo vetëm sepse ne nuk i kemi falur ndonjëherë tokë askujt, po edhe sepse në këtë rast ajo pronë u është kthyer pronarëve dhe është regjistruar në hipotekë, vite përpara sesa ne të vinim në qeveri.
  2. Po nëse prona është private, rojet private të pronës nuk kanë asnjë të drejtë të përdorin forcë ndaj askujt dhe jo vetëm ata si individë duhet të ndiqen penalisht, siç po ndiqen po edhe për kompaninë e tyre hetimi administrativ për paaftësi totale në ushtrimin e aktivitetit të autorizuar, duhet të mbyllet sa më parë të jetë e mundur.
  3. E përshëndes reagimin e shpejtë të drejtorisë së përgjithshme të Policisë së Shtetit për pezullimin e drejtuesve vendorë dhe vënien nën hetim të zinxhirit të komandimit, sepse nuk ishte e papranueshme vetëm sjellja skandaloze e rojeve private, po edhe indiferenca e pajustifikueshme e policisë së pranishme në vend.

Goditja brenda radhëve të Policisë së Shtetit, që nisi në Sarandë dhe ka vazhduar në Vlorë, do të jetë një konstante e punës së strukturave tona në këtë kapitull të ri të drejtimit të tyre. Uniformat blu janë dhe duhet të jenë në çdo rast, garante të rendit ligjor, ku mbrojtja e pronës publike apo private janë një pjesë thelbësore. Por po ashtu ato duhet të garantojnë edhe pacënueshmërinë e besimit të qytetarëve tek uniforma e policisë, prandaj çdo devijim nga këto parime do të goditet përmes bashkëpunimit të ngushtë mes strukturave drejtuese të policisë dhe të Agjencisë së Mbikqyrjes Policore./ Zoom.al

Postime të lidhura