Aplikacion
Të tjera të dhëna janë zbardhur lidhur me plagosjen me armë zjarri që tronditi mbrëmjen e së dielës lagjen “Vullnetari” në Elbasan, ku tre të rinj mbetën të plagosur në një lokal, mes tyre edhe kamarieri.
Sipas burimeve nga grupi hetimor, dyshohet se sulmi ka pasur si objektiv Armando Tomorricën dhe Renaldo Mancen, ndërsa 19-vjeçari Biorgi Hoxha, i cili punonte si kamarier në lokal, s’ka qenë objektivi i drejtpërdrejtë i autorit.
Nga hetimet paraprake dyshohet se autori kishte një konflikt të mëparshëm me dy të rinjtë, ndërsa kjo pistë po verifikohet nga grupi hetimor si një nga motivet kryesore të ngjarjes.
Sipas rindërtimit fillestar të dinamikës, dy të rinjtë ndodheshin në verandën e lokalit bashkë me kamarierin, kur një person është afruar pranë tyre. Pas një përplasjeje verbale, ai dyshohet se ka nxjerrë armën dhe ka qëlluar disa herë në drejtim të tavolinës ku ndodheshin tre personat.
Në vendngjarje, ekspertët e Policisë Shkencore kanë gjetur dhe sekuestruar gjashtë gëzhoja, të cilat do t’i nënshtrohen ekspertizës balistike për të përcaktuar armën e përdorur dhe për të ndihmuar në identifikimin e autorit.
Tre të plagosurit u transportuan për ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal të Elbasanit. Pas trajtimit, ata kanë lënë spitalin pasi dëmtimet e marra nuk rezultuan të rrezikshme për jetën dhe gjendja e tyre shëndetësore paraqitet e mirë.
Ndërkohë, autori i dyshuar vijon të jetë në kërkim. Policia ka vijuar kontrollet dhe veprimet hetimore për lokalizimin e tij, ndërsa nën drejtimin e Prokurorisë po punohet për zbardhjen e plotë të rrethanave të sulmit me armë zjarri.
ARRSH hap tenderin 5.24 milionë euro për lidhjen e Unazës Verilindore me Rrugën e Arbërit