zoom

Aktualitet

Atentati në Elbasan, tre të plagosurit lënë spitalin! Gjenden 6 gëzhoja në vendngjarje, ende asnjë gjurmë e autorit

Atentati në Elbasan, tre të plagosurit lënë spitalin! Gjenden 6 gëzhoja në vendngjarje, ende asnjë gjurmë e autorit

Tre të rinjtë që mbetën të plagosur nga të shtënat me armë zjarri mbrëmjen e së dielës në një lokal në lagjen “Vullnetari” në Elbasan kanë lënë spitalin vetëm pak orë pas marrjes së ndihmës mjekësore, pasi dëmtimet e tyre rezultuan të lehta dhe jashtë rrezikut për jetën.

Mësohet se Bjorgi Hoxha, 19 vjeç, Armand Tomorrica, 32 vjeç dhe Renaldo Mance, 31 vjeç, janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe janë rikthyer në banesat e tyre.

Sipas hetimeve paraprake, njëri prej të plagosurve është goditur në shpatull, një tjetër në këmbë, ndërsa i treti ka pësuar vetëm një gërvishtje nga plumbi. Në vendin ku ndodhi sulmi janë gjetur dhe sekuestruar gjashtë gëzhoja, të cilat do t’i nënshtrohen ekspertizës balistike.

Grupi hetimor ka sekuestruar gjithashtu pamjet e kamerave të sigurisë së lokalit dhe bizneseve përreth, të cilat pritet të ndihmojnë në identifikimin e autorit dhe rindërtimin e dinamikës së ngjarjes. Në kuadër të hetimeve janë marrë në pyetje edhe tre të plagosurit.

Një detaj që ka marrë vëmendjen e hetuesve është prania e një efektivi policie jashtë shërbimit në momentin e sulmit. Sipas burimeve, sapo ka dëgjuar të shtënat, ai ka dalë nga lokali dhe është vënë në ndjekje të autorit.

Gjatë largimit, autori dyshohet se ka hedhur armën e zjarrit, e cila është gjetur dhe sekuestruar nga policia si provë materiale. Megjithatë, ai ka arritur të largohet në brendësi të lagjes, duke i shpëtuar arrestimit.

Pas ngjarjes, zona u rrethua nga forca të shumta policie, të cilat zhvilluan kontrolle intensive për lokalizimin e autorit. Operacioni për kapjen e tij vijon, ndërsa nën drejtimin e Prokurorisë po kryhen të gjitha veprimet hetimore dhe ekspertizat për të dokumentuar ngjarjen, zbardhur motivin dhe vënë autorin përpara përgjegjësisë penale.

Postime të lidhura