Aplikacion
Ministria e Punëve të Jashtme e Greqisë ka reaguar zyrtarisht për incidentet e ndodhura të shtunën në Zvërnec të Vlorës, ku gjatë protestës së banorëve kundër punimeve në zonën e “Portonovës” mbeti i plagosur një shtetas grek.
Sipas autoriteteve shqiptare, bëhet fjalë për shtetasin me iniciale E.S., i cili u filmua teksa goditej dhe tërhiqej me forcë nga punonjës të sigurisë private gjatë përplasjeve në protestë. Për ngjarjen, Policia e Shtetit arrestoi Gerald Bibën, 32 vjeç nga Durrësi, punonjës i një kompanie private sigurie, ndaj të cilit rëndojnë akuzat për “Heqje të paligjshme të lirisë” dhe “Plagosje të lehtë me dashje”.
Nga hetimet paraprake rezulton se Biba ka goditur me grusht shtetasin E.S. dhe më pas, së bashku me dy persona të tjerë të proceduar penalisht, e ka tërhequr me forcë drejt zonës së rezervuar për rojet e sigurisë, duke i shkaktuar dëmtime fizike.
Në reagimin e saj, Ministria e Jashtme greke shprehet se Ambasada e Greqisë në Tiranë ndërmori menjëherë të gjitha veprimet e nevojshme për t’i ofruar qytetarit grek ndihmën konsullore dhe mjekësore, ndërsa i kërkoi autoriteteve shqiptare zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e përgjegjësve.
“Ambasada e Greqisë në Tiranë po kryen paraqitjet e nevojshme pranë palës shqiptare, duke kërkuar një sqarim të plotë të incidentit dhe atribuimin e përgjegjësive”, thuhet në deklaratë.
Athina thekson gjithashtu nevojën për respektimin e sundimit të ligjit, mbrojtjen e të drejtave të pronës dhe të drejtave të anëtarëve të Minoritetit Kombëtar Grek, si dhe ruajtjen e zonave të mbrojtura mjedisore, duke e lidhur këtë me detyrimet që rrjedhin nga procesi i integrimit evropian të Shqipërisë.
Ngjarja në Zvërnec ka shkaktuar reagime në të dyja vendet, ndërsa autoritetet shqiptare kanë ngritur një grup të posaçëm hetimor dhe kanë nisur edhe verifikime disiplinore për mënyrën e menaxhimit të protestës nga strukturat vendore të policisë.
Spanja i rremben titujt Lionel Messi-t, Rodri shpallet lojtari i turneut në Kupën e Botës