zoom

Aktualitet

“Mendova të largohesha”, Rama flet pas tensioneve në Zvërnec, mbron investimin: Qytetarët u manipuluan, janë bërë pjesë e një kurthi

“Mendova të largohesha”, Rama flet pas tensioneve në Zvërnec, mbron investimin: Qytetarët u manipuluan, janë bërë pjesë e një kurthi

Kryeministri Edi Rama ka reaguar për protestat kundër projektit turistik në Zvërnec, duke deklaruar se qytetarët janë manipuluar dhe janë përfshirë në një kurth që, sipas tij, nuk i ngrihet vetëm qeverisë apo Partisë Socialiste, por vetë të ardhmes së Shqipërisë.

Gjatë një takimi me deputetët socialistë, Rama tha se ka vendosur t’u tregojë qytetarëve “anën tjetër të medaljes”, edhe me rrezikun që ata të mos e besojnë.

“Kur kam hyrë në atë zyrë kam thënë që zyra është e imja, por pushteti është i juaji. Nuk kam premtuar se nuk do të bëj gabime, por kam premtuar se nuk do t’ju tradhtoj kurrë”, u shpreh kryeministri.

Sipas tij, protestuesit janë shfrytëzuar nga aktorë të caktuar, të cilët kanë përdorur ndjenjat e tyre patriotike dhe shqetësimet për mjedisin për t’i kthyer në pjesë të një beteje politike.

“Njerëzit janë tërhequr dhe manipuluar duke u shfrytëzuar atdhetaria dhe dëshira e tyre për të pasur një mjedis të pastër e të mbrojtur. Në këtë rast janë bërë pjesë e një kurthi që nuk i ngrihet vetëm kësaj partie apo mua personalisht, por të ardhmes së Shqipërisë”, deklaroi Rama.

Kreu i qeverisë tha se debatet dhe reagimet e ditëve të fundit për Zvërnecin e kanë bërë të reflektojë thellë, madje edhe të mendojë largimin nga politika.

“Këto janë ditë të habitshme, që për herë të parë më kanë bërë të mendoj t’ju falënderoj për besimin dhe të kërkoj ndjesë për t’u larguar në katund. Por kam zgjedhur të bëj atë që kam bërë gjithmonë, të vazhdoj t’ju udhëheq drejt Shqipërisë që duam”, tha ai.

Duke mbrojtur projektin e investimit në Zvërnec, Rama e cilësoi atë si një mundësi të jashtëzakonshme për zhvillimin ekonomik dhe turistik të vendit. Sipas tij, Shqipëria ndodhet në një fazë të re zhvillimi dhe duhet të tërheqë investime strategjike që sjellin turizëm elitar dhe vlerë të shtuar për ekonominë.

Kryeministri theksoi se projekti parashikon një investim prej rreth 4 miliardë eurosh dhe se investitorët nuk janë thjesht ndërtues që ndërtojnë dhe largohen, por partnerë afatgjatë që kanë blerë tokën përmes procedurave të monitoruara nga institucionet kundër pastrimit të parave dhe partnerët ndërkombëtarë.

“Shqipëria nuk është më vendi ku investitorët nuk afrohen. Sot është një vend ku të gjithë duan të investojnë. Është koha që të hyjmë në elitën e turizmit global me projekte që sjellin konsumatorë me fuqi të lartë blerëse dhe që lënë të ardhura në ekonominë shqiptare”, deklaroi Rama.

Postime të lidhura