zoom

Aktualitet

Qytetarët zbresin sot sërish në shesh për Zvërnecin

Qytetarët zbresin sot sërish në shesh për Zvërnecin

Qytetarë dhe aktivistë pritet të mblidhen sërish këtë të hënë në qendër të Tiranës për të protestuar kundër projektit turistik të planifikuar në zonën e Zvërnecit, projekt që ka shkaktuar debate dhe reagime të shumta publike gjatë ditëve të fundit.

Tubimi është paralajmëruar të nisë në orën 18:00 në Sheshin “Skënderbej”, nën sloganin “Shqipëria nuk është në shitje”. Organizatorët kanë bërë të ditur se protesta do të shoqërohet me marshim në disa prej akseve kryesore të kryeqytetit.

Sipas tyre, reagimi qytetar lidhet me shqetësimet për ndërhyrjet në zonat e mbrojtura dhe me kundërshtimin ndaj projekteve që, sipas protestuesve, cenojnë interesin publik dhe pasuritë natyrore të vendit.

Protesta vjen pas tensioneve dhe incidenteve të regjistruara në Zvërnec gjatë fundjavës, ku pati përplasje mes protestuesve dhe rojeve private të sigurisë.

Qytetarët mbushën rrugët edhe një ditë më parë për të njëjtën kauzë. Të organizuar nga shoqëria civile dhe në rrjetet sociale, ata u mblodhën në Tiranë në mënyrë paqësore për të përcjellë zërin dhe qëndrimin e tyre.

Në materialet promovuese bëhet thirrje për mobilizim qytetar me mesazhin “Mos hesht! Ngre zërin! Mbrojmë Zvërnecin, mbrojmë të ardhmen!”, ndërsa pjesëmarrësit pritet të kërkojnë më shumë transparencë dhe mbrojtje për zonën bregdetare./ Zoom.al

Postime të lidhura