zoom

Aktualitet

Tërhoqi zvarrë protestuesin në Zvërnec, lihet në burg Gerald Biba

Tërhoqi zvarrë protestuesin në Zvërnec, lihet në burg Gerald Biba

Gjykata e Shkallës së Parë në Vlorë ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për Gerald Bibën, efektiv i policisë private, i arrestuar pas ngjarjes së ndodhur në zonën e Zvërnecit më 30 maj, gjatë protestës për të kundërshtuar projektin zhvillimor aty.

Seanca gjyqësore u zhvillua nën drejtimin e gjyqtarit Etien Isak, ndërsa organi i akuzës u përfaqësua nga prokurorja Julinda Gjika. Gjatë shqyrtimit të çështjes, palët paraqitën argumentet dhe pretendimet e tyre lidhur me ngjarjen, si edhe provat dhe veprimet hetimore të kryera deri tani.

Prokuroria kërkoi që ndaj të ndaluarit të caktohej masa më e rëndë e sigurisë, duke argumentuar se ekzistojnë dyshime të forta për përfshirjen e tij në ngjarje.

Pas shqyrtimit të materialeve hetimore dhe dëgjimit të palëve, gjykata vendosi të pranojë kërkesën e prokurorisë, duke lënë në fuqi masën “arrest me burg” ndaj Gerald Bibës.

Punonjësi privat i “Major Security” Gerald Biba u arrestua nga policia pasi dhunoi e tërhoqi zvarrë, së bashku me 2 punonjës të tjerë (të cilët rezultuan të palicensuar), një protestues, i cili ngriti zërin kundër ndërtimit të një resorti në zonën e mbrojtur të Zvërnecit.

Policia e Shtetit ka vendosur t’u heqë licencën dy subjekteve private të sigurisë fizike, “Myrto Security 1.3A” dhe “Major Security”, pas shkeljeve të konstatuara gjatë protestës, ndërsa qytetarët kanë njoftuar një tjetër protestë sot në orën 18:00 në Tiranë, për të kundërshtuar projektin dhe dhunën./ Zoom.al

Postime të lidhura