zoom

Aktualitet

“Dosja e Zvërnecit, do të përvëlojë nivele të larta”- Paralajmërimi i Klodiana Lalës: Rama i trembet SPAK! Brenda 10 ditësh…

“Dosja e Zvërnecit, do të përvëlojë nivele të larta”- Paralajmërimi i Klodiana Lalës: Rama i trembet SPAK! Brenda 10 ditësh…

Gazetarja Klodiana Lala ka deklaruar se hetimi i Prokurorisë së Posaçme për çështjen e pronave në Zvërnec nuk është një zhvillim i ri, por një dosje që po hetohet prej rreth një viti e gjysmë dhe që, sipas saj, mund të sjellë pasoja të rëndësishme në nivele të larta.

Gazetarja u shpreh se SPAK ka grumbulluar një sërë materialesh hetimore, të cilat mund të çojnë në zhvillime të rëndësishme në ditët në vijim.

“Jemi ende herët të dimë çfarë po ndodh me Zvërnecin, por SPAK ka një dosje që mund të përvëlojë në nivele të larta. Hetimi nuk ka nisur sot, por vijon prej një viti e gjysmë”, tha gazetarja.

Sipas saj, gjatë operacioneve të fundit janë ushtruar kontrolle ndaj personave që dyshohet se kanë lidhje me Artur Shehun, të cilin ajo e cilësoi si një personazh kontrovers të botës së krimit. Gjithashtu, janë sekuestruar telefona celularë dhe në dosjen hetimore përfshihen edhe materiale përgjimi të ardhura nga autoritete të huaja.

Lala komentoi edhe reagimin e kryeministrit Edi Rama lidhur me protestat kundër projektit turistik në Zvërnec, duke theksuar se shqetësimi kryesor i kreut të qeverisë nuk janë protestat e qytetarëve, por ecuria e hetimit të SPAK.

“Unë mendoj se zoti Rama më shumë se sa protesta dhe më shumë se sa çfarë po ndodh, trembet nga hetimi i SPAK”, deklaroi ajo.

Gazetarja iu referua edhe kontrolleve të kryera së fundmi në Tiranë dhe Vlorë, në kuadër të hetimeve për dyshimet mbi tjetërsimin e pronave në zonën ku parashikohet të ndërtohet projekti turistik.

Sipas Lalës, SPAK mund të ndërmarrë shumë shpejt hapa të tjerë proceduralë, deri në sekuestrimin e pronës që ndodhet nën hetim dhe që dyshohet se është përfituar mbi dokumente të falsifikuara.

“Unë mendoj se në ditët në vijim mund të ketë vendime që shkojnë deri në një sekuestrim të mundshëm të pronës që dyshohet e falsifikuar. Sekuestrimi më pas sjell automatikisht bllokimin e projektit”, u shpreh ajo.

Më tej, Lala paralajmëroi se një veprim i tillë mund të krijojë pasoja edhe për investitorët e përfshirë në projekt.

“Nuk mendoj se është e largët dita, ndoshta brenda 10 ditësh mund të ketë një veprim konkret që do të shkaktonte probleme edhe me vetë Kushnerin, pasi bëhet fjalë për një investitor amerikan që pritet të investojë në atë zonë”, tha gazetarja.

Deklaratat e Lalës vijnë në një moment kur debati për projektin në Zvërnec është intensifikuar pas protestave të banorëve, hetimeve për pronësinë e tokave dhe reagimeve të shumta politike mbi investimin që pritet të realizohet në zonë.

Postime të lidhura