zoom

Të gjitha

SPAK sekuestron 200 milionë eurot e Al-Kayyat në Zvërnec, Shqipëria rrezikon një faturë marramendëse në Arbitrazh

SPAK sekuestron 200 milionë eurot e Al-Kayyat në Zvërnec, Shqipëria rrezikon një faturë marramendëse në Arbitrazh

Urdhri i SPAK për të ngrirë plot 200 milionë euro të depozituara nga vëllezërit miliarderë nga Katari, Ramez dhe Mohamad Al-Khayyat, ka ndryshuar tërësisht rrjedhën e skandalit të pronave në Zvërnec. Ky bllokim, i destinuar për projektin luksoz në partneritet me dhëndrin e Donald Trump, Jared Kushner, po e shtyn Shqipërinë me hapa të shpejtë drejt një humnere të re financiare. 

Nga Zoom.al

Ndërsa zhurma e protestave në Vlorë dhe Tiranë rritet për çështjen mjedisore, një faturë tjetër katastrofike po përgatitet për xhepat e qytetarëve shqiptarë.

Burime të besueshme për Zoom.al bëjnë me dije se sipërmarrësit ndërkombëtarë janë të irrituar nga lëvizjet e SPAK-ut. Përmes studiove ligjore më të njohura në botë, kompanitë e tyre si “Urbacon Trading and Contracting” dhe “Sazan Operations Holding” kanë nisur menjëherë përgatitjet për të paditur shtetin shqiptar në Arbitrazh.

Kjo padi nuk do të kërkojë thjesht lirimin e 200 milionë eurove të bllokuara, por do të bazohet në dy shtylla që do ta rëndojnë buxhetin e shtetit, fitimi i munguar dhe dëmi i imazhit

Planet e biznesit për resortin luksoz parashikonin të ardhura qindra miliona euroshe. Çdo ditë vonese dhe bllokimi përkthehet në një dëm financiar të llogaritshëm që investitorët do t’ia faturojnë shtetit shqiptar.

Për dy miliarderë nga Katari dhe mbi të gjitha për familjen e Jared Kushner, përfshirja e emrit të tyre në skedarët e sekuestros për “pastrim parash” është një goditje e papranueshme për bizneset e tyre globale. Ky dëm imazhi rrezikon të përkthehet në një faturë të kripur. 

Burimi i tha Zoom.al se logjika ligjore ndërkombëtare anon totalisht nga investitorët e huaj. “As vëllezërit Al-Khayyat dhe as Jared Kushner nuk kanë ardhur vetë në Vlorë me zgarë në dorë për të matur kufijtë e pronave. Ata thjesht kanë nxjerrë paratë, me burime të pastra dhe të verifikueshme bankare, duke u bazuar në çertifikatat zyrtare të pronësisë të lëshuara nga Kadastra Shqiptare. Nëse shteti shqiptar u ka shitur apo u ka certifikuar atyre prona që rezultojnë të vjedhura apo të tjetërsuara nga grupet kriminale, ligji ndërkombëtar mbron blerësin me mirëbesim. Për Arbitrazhin, fajtori është shteti që nuk garanton sigurinë juridike të dokumenteve që lëshon vetë” – tha ai.

Kështu, nëse investitorët e huaj vërtetojnë se ranë në grackën e mashtrimit të zyrave të shtetit dhe ndërmjetësve lokalë, faturën e Arbitrazhit, e cila parashikohet të shkojë mbi 100 milionë euro, nuk do ta paguajnë zyrtarët e Kadastrës, por do të vilet direkt nga xhepat e shqiptarëve të thjeshtë.

Ky skandal vjen si pasojë e nxitimit të verbër të qeverisë së Edi Ramës për të promovuar me pompozitet projekte miliardere pa bërë asnjë verifikim të thelluar të historikut të pronave. Rama nxitoi ta krahasonte Zvërnecin me projekte elitare si Costa Navarino në Greqi, por dështoi të garantonte që toka nuk ishte produkt i krimit të organizuar.

Një situatë e ngjashme ndodhi pak kohë më parë në Serbi, ku sapo prokuroria nisi hetimet, familja Kushner u tërhoq menjëherë nga investimi afro 1 miliardë eurosh për të mos dëmtuar emrin e tyre në periudhë zgjedhore në SHBA.

Tani, sfida ligjore është në pikën më kritike. Nëse SPAK nuk arrin të provojë se paratë e Katarit kishin qëllim të vetëdijshëm pastrimin e parave, bllokimi i tyre do të konsiderohet një sulm i paligjshëm ndaj investimeve të huaja. Ndërsa zyrtarët bëjnë deklarata dhe mbajnë qëndrime, Arbitrazhi po bën gati lapsin për të shkruar gjobën e radhës ndaj Shqipërisë, një faturë që si gjithmonë, do ta paguajnë ata që nuk kanë asnjë lidhje me përfitimet e këtij projekti: qytetarët.

Postime të lidhura