zoom

Aktualitet

Amnistia penale liron Rozeta Dobin. Sanitarja vodhi rreth 500 mijë euro në banesën e ish-zyrtares

Amnistia penale liron Rozeta Dobin. Sanitarja vodhi rreth 500 mijë euro në banesën e ish-zyrtares

Rozeta Dobi, e dënuar për vjedhjen e një shume të konsiderueshme parash në banesën e ish-zyrtares së lartë Alda Klosi, ka lënë këtë të mërkurë qelinë e burgut të grave në Pojskë, pasi ka përfituar nga amnistia penale. 

Emri i Dobit u bë publik në fillim të vitit 2023, pas arrestimit të saj nën akuzën e vjedhjes e rreth 500 mije eurove si edhe sendeve me vlerë nga banesa ku ajo punonte si pastruese prej disa vitesh.

Gjatë hetimeve, kontrollet në banesën e Rozeta Dobit zbuluan shuma të tjera të konsiderueshme parash dhe sende me vlerë. Sipas hetimit, në ambientet e saj u sekuestruan qindra mijëra euro, dollarë amerikanë, bizhuteri floriri, si dhe automjete që dyshohej se ishin blerë me të ardhura të lidhura me veprën penale.

Çështja mori vëmendje të gjerë publike për shkak të shumave të mëdha të parave të sekuestruara, ndërsa hetimet u shtrinë edhe mbi burimin e tyre.

Pas vuajtjes së një pjese të dënimit, Dobi ka përfituar nga ligji për amnistinë penale, i cili parashikon lirimin ose uljen e dënimit për kategoritë që plotësojnë kriteret e përcaktuara. Nga amnistia penale pritet të përfitojnë mbi 1300 të dënuar, ndërsa qindra persona do të lirohen menjëherë nga burgjet. 

Hetimet për pasurinë e sekuestruar dhe burimin e saj vijuan edhe pas arrestimit të Dobit, ndërsa çështja mbetet një nga dosjet më të komentuara për shkak të shumave të përfshira.

Postime të lidhura