zoom

Aktualitet

Përfitoi nga amnistia, ish-i burgosuri: Mund të kthehem prapë në burg

Përfitoi nga amnistia, ish-i burgosuri: Mund të kthehem prapë në burg

Një nga personat që përfitoi nga amnistia penale dhe u lirua nga burgu i Fierit ka bërë një deklaratë që ka tërhequr vëmendjen, duke folur për vështirësitë që, sipas tij, hasen pas daljes nga burgu.

Gjatë një prononcimi për mediat, ish-i dënuari tregoi se kishte vuajtur tre vite burg, ndërsa nga amnistia përfitoi uljen e dënimit me dy muaj. Ai tha se pas lirimit do të kthehet në Tepelenë, por shprehu pasiguri për të ardhmen dhe mënyrën se si do të sigurojë të ardhura për familjen.

“Nuk jeton dot në Shqipëri pa shkelur ligjin. Nuk e di me çfarë do ta mbaj familjen. Mund të ndodhë që të rikthehem përsëri në burg, nuk i dihet”, u shpreh ai.

Sot nisi zbatimi i amnistisë penale. 541 të dënuar përfitojnë lirim të menjëhershëm, ndërsa qindra të tjerë përfitojnë ulje të dënimit ose forma të tjera lehtësimi.

Sipas raportimit, përveç 541 personave që lirohen, 803 të dënuar përfitojnë ulje dënimi, 173 persona përfitojnë nga rillogaritja e dënimit, 124 raste lidhen me disa vendime gjyqësore, ndërsa 67 të dënuar përfitojnë nga bashkimi i dënimeve.

Postime të lidhura