zoom

Aktualitet

Nis zbatimi i amnistisë penale! Kategoritë që lirohen, përjashtohen të dënuarit e SPAK

Nis zbatimi i amnistisë penale! Kategoritë që lirohen, përjashtohen të dënuarit e SPAK

Nis këtë të mërkurë zbatimi i ligjit për amnistinë penale, nga i cili pritet të përfitojnë mbi 1300 të dënuar në të gjithë vendin. Ligji u miratua nga Kuvendi më 18 qershor me 84 vota pro dhe u dekretua nga Presidenti Bajram Begaj më 30 qershor, ndërsa tashmë ka hyrë në fuqi.

Amnistia do të zbatohet për të gjithë personat që kanë marrë një vendim të formës së prerë deri më 31 maj të këtij viti, përfshirë edhe rastet kur vendimi i Gjykatës së Apelit nuk është zbardhur ende. Për shkak të kohës së kaluar nga miratimi i ligjit deri në hyrjen e tij në fuqi, numri i përfituesve mund të rritet, pasi disa të dënuar mund të kenë plotësuar ndërkohë kushtet ligjore.

Sipas të dhënave paraprake, nga burgu i Kosovës në Lushnjë pritet të lirohen rreth 120 persona, ndërsa rreth 98 të dënuar do të përfitojnë lirinë nga burgu i Fierit. Po ashtu, rreth 200 të burgosur do të përfitojnë ulje të dënimit. Në burgun e Drenovës në Korçë pritet të lirohen rreth 60 persona, ndërsa nga burgu i grave në Pojskë do të dalin 15 të dënuara.

Sipas ligjit, amnistia përfshin burrat e dënuar me burgim deri në 3 vjet, gratë e dënuara deri në 4 vjet, si dhe personat që u kanë mbetur për të vuajtur deri në 3 vite burg, për burrat, dhe deri në 4 vite, për gratë. Përfitues janë edhe burrat mbi 60 vjeç, gratë mbi 50 vjeç, si dhe personat që kanë qenë nën moshën 18 vjeç në kohën e kryerjes së veprës penale, me përjashtim të rasteve të veprave të rënda.

Nga amnistia përjashtohen personat e dënuar për vepra penale të rënda, si vrasja me dashje, krimet kundër njerëzimit, veprat seksuale, trafikimi i qenieve njerëzore dhe një sërë veprash të tjera të parashikuara në ligj. Gjithashtu, nuk përfitojnë personat që i janë shmangur drejtësisë, si dhe të gjithë të dënuarit për çështje që janë në juridiksionin e SPAK ose kanë vendime nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), pavarësisht veprës penale për të cilën janë dënuar.

Ligji parashikon gjithashtu faljen e ndjekjes penale për disa kundërvajtje dhe vepra penale me rrezikshmëri të ulët, sipas kritereve të përcaktuara në aktin e miratuar nga Kuvendi.

Postime të lidhura