zoom

Aktualitet

“Jam kërcënuar me jetë”- Përfitoi nga amnistia, i dënuari: S‘më lanë të shihja fëmijën

“Jam kërcënuar me jetë”- Përfitoi nga amnistia, i dënuari: S‘më lanë të shihja fëmijën

Besmir Gjezari është një nga të dënuarit që ka përfituar nga amnistia penale dhe ka lënë qelinë, ndërsa menjëherë pas lirimit ka deklaruar se do të nisë betejën e tij për të kërkuar drejtësi, pasi pretendon se është dënuar padrejtësisht.

Gjezari ka deklaruar se ishte dënuar me 5 vite burg për akuzat e prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike, ndërsa ka vuajtur 2 vite e 7 muaj dënim. Sipas tij, nuk është kapur me lëndë narkotike dhe vendimi ndaj tij ka qenë i padrejtë.

“Jam akuzuar për lëndë narkotike, prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike. Jam dënuar me pesë vite burg. Kam vuajtur dy vite e shtatë muaj dhe nuk jam kapur me asnjë lloj gjëje”, është shprehur ai.

Gjezari akuzon Prokurorinë e Korçës dhe një oficer të policisë gjyqësore, Mariglen Beqo, duke pretenduar se ndaj tij është vepruar me tendencë. Ai thotë se gjatë kohës së qëndrimit në burg nuk ka mundur të takojë familjen e tij për më shumë se dy vite.

Sipas tij, kufizimi i takimeve ka prekur edhe marrëdhënien me fëmijën e tij 3-vjeçar, të cilin pretendon se nuk e ka parë për rreth një vit.

“Kam dy vite e kusur këtu që nuk po takoj dot familjen time. Kam një fëmijë të mitur dhe e kam lënë gati një vit, një vit e pak, pa e takuar dhe pa e parë”, ka deklaruar ai.

Ish-i dënuari ka ngritur gjithashtu pretendime për kërcënime ndaj tij dhe familjes së tij, duke thënë se ndihet i rrezikuar dhe se do t’u drejtohet institucioneve të drejtësisë për të kërkuar sqarime.

“Do të kërkoj drejtësi dhe kjo është vetëm fillimi. Tani që kam dalë, do t’i nis të gjitha gjërat nga e para”, është shprehur 

Deklarata:

Unë jam akuzuar për lëndë narkotike, prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike. Jam dënuar me pesë vite burg. Vuajta dy vite e shtatë muaj dhe unë nuk jam kapur me asnjë lloj gjëje. Jam dënuar padrejtësisht nga ana e Prokurorisë së Korçës dhe Gjykatës.

Kjo ka nisur nga oficeri i policisë gjyqësore, Mariglen Beqo. E ka me tendencë. Nga ai u nis ajo dhe më ka marrë dhe familjen në qafë. Kam dy vite e kusur këtu që nuk po takoj dot familjen time.

Do ta kërkoj drejtësinë dhe kjo është vetëm fillimi. Sa kam dalë, do t’i nis të gjitha gjërat nga e para.

Nuk i kam takuar familjarët se nuk e ka lejuar prokurorja. Për atë çështje që unë nuk e kam pasur, ndikimi ka qenë nga oficeri i policisë gjyqësore për të më hequr padrejtësisht edhe takimin, të drejtën e fëmijës. Kam një fëmijë të mitur 3-vjeçar dhe e kam lënë gati një vit, një vit e pak, dhe nuk e kam takuar, nuk e kam parë.

Nga padrejtësitë që më ka bërë oficeri i policisë gjyqësore, Mariglen Beqo, ai ka marrë edhe presione e kërcënime nga njerëz të drejtësisë dhe ndihem shumë i kërcënuar dhe i rrezikuar, si unë ashtu edhe familja ime.

Jam i kërcënuar me jetë, si unë dhe familja ime. Më kanë kthyer gjëra personale. Për çfarë, për çfarë arsye ka ndikuar që të mos takoj familjen dy vite e kusur? Takimet me njerëzit e mi? Unë nuk e kuptoj çfarë ka ndodhur këtu.

Dhe të më hiqet e drejta e fëmijës padrejtësisht, sepse ndikon oficeri i policisë gjyqësore. Për çfarë arsye? Atë e di ai dhe këtë do ta kërkojmë me drejtësi.

Jam familjar, kam një fëmijë të mitur, kam një biznes timin dhe dua t’i përkushtohem familjes.”

Postime të lidhura