Aplikacion
Çmimet ndërkombëtare të naftës kanë shënuar një tjetër rritje gjatë së mërkurës, pas zhvillimeve të fundit mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, që kanë shtuar pasiguritë për furnizimin me energji në tregjet botërore.
Rritja e çmimeve erdhi pasi presidenti amerikan Donald Trump vendosi rikthimin e bllokadës detare ndaj porteve iraniane. Në të njëjtën kohë, Trupa e Gardës Revolucionare Islamike e Iranit reagoi me paralajmërime se mund të ndërmarrë masa për të bllokuar korridoret e tjera të eksportit të energjisë që shërbejnë interesat e SHBA-së dhe aleatëve të saj.
Sipas të dhënave të tregut, nafta u shtrenjtua me rreth 2%, ndërsa investitorët reaguan ndaj rrezikut të ndërprerjes së furnizimeve në Ngushticën e Hormuzit. Kjo rrugë detare konsiderohet një nga pikat më strategjike për transportin global të naftës dhe gazit natyror të lëngshëm, pasi përmes saj kalon një pjesë e konsiderueshme e eksporteve botërore të energjisë.
Mediat ndërkombëtare, duke cituar Reuters, raportojnë se analistët paralajmërojnë se Irani mund të aktivizojë aleatët e tij Huthi në Jemen për të penguar qarkullimin detar në ngushticën Bab el-Mandeb, duke zgjeruar më tej përplasjen në një tjetër korridor të rëndësishëm të transportit energjetik.
Përshkallëzimi i situatës vjen pas rifillimit të armiqësive mes Uashingtonit dhe Teheranit javën e kaluar, zhvillim që i dha fund armëpushimit të arritur në muajin qershor pas disa muajsh konfliktesh./ Zoom.al