zoom

Bota

Kriza SHBA-Iran përshkallëzohet, Teherani kërcënon me mbylljen e Hormuzit, nafta nis rritjen

Kriza SHBA-Iran përshkallëzohet, Teherani kërcënon me mbylljen e Hormuzit, nafta nis rritjen

Tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit kanë hyrë në një fazë të re përshkallëzimi, pas shkëmbimit të kërcënimeve dhe operacioneve ushtarake që kanë rritur frikën për një konflikt më të gjerë në Lindjen e Mesme.

Sipas raportimeve, forcat amerikane kanë kryer sulme ndaj dhjetëra objektivave në Iran, ndërsa Uashingtoni pretendon se janë goditur rreth 80 pika të lidhura me strukturat iraniane. Mediat ndërkombëtare raportojnë se operacioni ka qenë më i gjerë se aksionet e mëparshme, si në shtrirje ashtu edhe në intensitet.

Nga ana tjetër, Irani ka deklaruar se është kundërpërgjigjur duke goditur instalacione ushtarake amerikane në rajon, përfshirë baza në Bahrein dhe Kuvajt. Teherani akuzon Shtetet e Bashkuara se kanë shkelur marrëveshjet e arritura më herët mes palëve dhe paralajmëron pasoja të reja nëse sulmet vazhdojnë.

Presidenti amerikan Donald Trump, gjatë samitit të NATO-s në Ankara, la të kuptohet se operacionet ushtarake mund të vijojnë edhe në ditët në vijim.

“Mund t’i godasim përsëri me forcë”, deklaroi Trump, duke shtuar se vendimi do të varet nga zhvillimet e ardhshme.

Përballë këtyre paralajmërimeve, autoritetet iraniane kanë ngritur mundësinë e një mase drastike: mbylljen e Ngushticës së Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme të transportit të naftës në botë.

Një zyrtar i sigurisë iraniane deklaroi për mediat shtetërore se nëse SHBA ndërmerr sulme të reja, Teherani mund të bllokojë këtë korridor strategjik detar.

Edhe kryetari i Parlamentit iranian, Mohammad Bagher Ghalibaf, reagoi ashpër, duke deklaruar se Irani nuk do të tërhiqet përballë presionit amerikan.

Përshkallëzimi ka dhënë menjëherë efekt në tregjet ndërkombëtare. Investitorët janë përfshirë nga pasiguria, ndërsa bursat evropiane kanë shënuar rënie. Paralelisht, çmimi i naftës ka nisur të rritet për shkak të frikës se një bllokim i mundshëm i Ngushticës së Hormuzit mund të ndikojë në furnizimet globale./ Zoom.al

Postime të lidhura