Aplikacion
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka lëshuar paralajmërime të reja ndaj Iranit, duke deklaruar se Uashingtoni është i gatshëm të ndërmarrë sulme të tjera nëse e konsideron të nevojshme. Deklaratat u bënë gjatë një takimi me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, në kuadër të Samitit të NATO-s.
Trump tha se objektiva të mundshëm të operacioneve ushtarake mund të jenë infrastruktura strategjike e Iranit, përfshirë rrjetin energjetik dhe impiantet e desalinizimit, të cilat luajnë rol kyç në furnizimin me ujë të pijshëm.
Sipas tij, forcat amerikane kanë ndërmarrë tashmë një operacion ndaj ishullit Kharg, qendra kryesore e eksporteve iraniane të naftës. Presidenti amerikan pretendoi se gjatë sulmit u goditën disa objektiva, ndërsa shtoi se kishte urdhëruar që infrastruktura e naftës të mos prekej.
Trump paralajmëroi se veprime të ngjashme mund të përsëriten edhe në orët në vijim, nëse situata mes dy vendeve vazhdon të përshkallëzohet.
“Do t’i shkatërrojmë. Nuk dua ta bëj këtë, por nëse do të jetë e nevojshme, do t’i godasim. Ne sulmuam Kharg Island mbrëmë dhe dëmtuam një pjesë të tij. U thashë ushtarakëve të mos preknin naftën, sepse ndoshta një ditë mund ta marrim nën kontroll ishullin Kharg. U thashë të mos godisnin tubacionet, por gjithçka tjetër. Ata e bënë këtë dhe mund ta godasin sërish edhe sonte”, tha Trump.
Nga ana tjetër, reagimi i Teheranit ishte i menjëhershëm. Zëdhënësi i Komisionit për Sigurinë Kombëtare dhe Politikën e Jashtme në Parlamentin iranian, Ebrahim Rezaei, deklaroi se çdo sulm i ri do të marrë një kundërpërgjigje të ashpër, duke paralajmëruar se forcat amerikane do të përballen me pasoja të rënda.
“Ejani, po ju presim dhe ju premtojmë se asnjë ushtar amerikan nuk do të kthehet i gjallë”, tha ai.
Edhe ish-ministri i Jashtëm iranian, Ali Akbar Velayati, akuzoi Shtetet e Bashkuara për nxitje të tensioneve në rajon, duke theksuar se Irani mbetet i gatshëm të reagojë ndaj çdo akti agresioni./ Zoom.al
39-vjeçari merr peng vëllanë dhe shokun e tij në Tiranë/ Sulmon edhe policinë, detajet