zoom

Aktualitet

“Kush po flet në emër të shqiptarëve?” Tabaku ngre pikëpyetje për projektin në Zvërnec: Ligjet e ndryshuara nga qeveria hapën rrugën për konfliktin

“Kush po flet në emër të shqiptarëve?” Tabaku ngre pikëpyetje për projektin në Zvërnec: Ligjet e ndryshuara nga qeveria hapën rrugën për konfliktin

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar lidhur me debatet dhe protestat për projektin turistik në Zvërnec, duke akuzuar qeverinë se ndryshimet e bëra ndër vite në ligjin për investimet strategjike dhe në atë për zonat e mbrojtura kanë krijuar kushtet për situatën e sotme.

Përmes një video-mesazhi të publikuar në rrjetet sociale, Tabaku u shpreh se prej më shumë se një dekade ka kundërshtuar ligjin për investimet strategjike, ndërsa ka paralajmëruar vazhdimisht edhe për pasojat që mund të sillnin ndryshimet në legjislacionin e zonave të mbrojtura.

Sipas saj, heqja e sipërfaqeve nga statusi i mbrojtur, riklasifikimi i tyre në kategori të tjera dhe lejimi i ndërtimeve në një pjesë të këtyre territoreve kanë hapur rrugën për konfliktin që po zhvillohet aktualisht në Zvërnec.

“Ligji për investimet strategjike dhe ndryshimet në ligjin për zonat e mbrojtura i kanë hapur rrugë pikërisht asaj që po ndodh sot në Zvërnec”, deklaroi Tabaku.

Deputetja demokratike theksoi se nuk është kundër investimeve të huaja, përfshirë investimet amerikane, por ngriti shqetësime për mënyrën se si janë trajtuar procedurat ligjore dhe transparenca e projektit.

“Nuk ka asgjë të keqe të kërkosh investime të huaja apo investime amerikane. Problemi nis kur ligjet ndryshohen për t’iu përshtatur kërkesave të investitorëve dhe jo interesit publik”, u shpreh ajo.

Tabaku kërkoi më shumë transparencë mbi strukturën e pronësisë së kompanive të përfshira në projekt, duke ngritur pyetje mbi përfituesit fundorë të tyre dhe respektimin e standardeve që kërkohen nga një vend që synon anëtarësimin në Bashkimin Europian.

Në reagimin e saj, ajo kritikoi gjithashtu mënyrën e vendimmarrjes së qeverisë, duke argumentuar se proceset po personalizohen dhe po zhvillohen pa debat të gjerë institucional.

“Kryeministri foli për vizionin e tij, vendimet e tij dhe negociatat e tij. Por kush flet në emër të shqiptarëve? Nuk ka Kuvend, nuk ka procese transparente dhe nuk ka procedura të rregullta ligjore”, tha Tabaku.

Duke sjellë në vëmendje edhe projektet e Portit të Durrësit dhe Aeroportit të Vlorës, deputetja e PD-së argumentoi se mungesa e transparencës dhe përqendrimi i vendimmarrjes kanë krijuar vazhdimisht dyshime dhe polemika rreth projekteve të mëdha zhvillimore.

Në përfundim, Tabaku theksoi se qytetarët kanë të drejtë të informohen për mënyrën se si administrohen asetet publike dhe se kërkesa kryesore e protestuesve në Zvërnec mbetet transparenca.

“Qytetarët shqiptarë kërkojnë transparencë. Këtë kërkojnë ata që protestojnë dhe çdo qytetar që beson tek shteti i së drejtës dhe tek e drejta për t’u informuar”, përfundoi ajo.

Postime të lidhura