Aplikacion
Ish-kryeministri grek, Alexis Tsipras, iu përgjigj ashpër kryeministrit shqiptar Edi Rama pas reagimit të këtij të fundit ndaj deklaratës së partisë së re të Tsiprës, ELAS, për incidentet në zonën e Vlorës.
Tsipras shprehet se u habit nga akuzat për retorikë nacionaliste dhe thekson se veprimtaria e tij politike, përpjekjet për paqe dhe bashkëpunim në rajon, si edhe Marrëveshja e Prespës , nuk i japin askujt të drejtën t’i mbajë leksione publike mbi nacionalizmin apo të majtën e shekullit XXI.
Ai nënvizon se mbrojtja e të drejtave të pakicave kombëtare, përfshirë Minoritetin Grek në Shqipëri, nuk duhet të ngatërrohet me nacionalizmin. Sipas tij, forcat progresiste duhet të mbështesin gjithmonë shtetin e së drejtës dhe mbrojtjen e të drejtave ligjore të çdo qytetari.
Tsipras kujton gjithashtu se prej gati një dekade ka diskutuar me Ramën rëndësinë e garantimit të të drejtave pronësore për të gjithë qytetarët shqiptarë, përfshirë edhe anëtarët e minoritetit grek, duke theksuar se përparimi në këtë drejtim do të ndihmojë perspektivën europiane të Shqipërisë, ndërsa çdo regres do të përbëjë pengesë.
Në fund të mesazhit të tij, ai i drejtohet Ramës me tone më pajtuese, duke i uruar suksese dhe duke shprehur shpresën për bashkëpunim të ardhshëm për integrimin europian të Ballkanit Perëndimor, Shqipërisë dhe për marrëdhëniet greko-shqiptare.
PËRGJIGJJA E TSIPRAS
Miku im i dashur Edi,
@ediramaal
Shpresoj që edhe ti të jesh mirë,
Duhet të pranoj se edhe unë jam i surprizuar nga fakti që nxitove të përgjigjeshe me pretendime për retorikë nacionaliste ndaj deklaratës së Aleancës së Majtë Helene (ELAS) – një deklaratë mbi dhunën e ushtruar ndaj një shtetasi grek dhe anëtari të Minoritetit Kombëtar Grek, shoqëruar me një kujtesë për nevojën e pajtueshmërisë me acquis-në evropiane.
Unë e kuptoj që vërejtjet e tua u bënë në nxehtësi e sipër dhe për këtë arsye nuk fyehem. Megjithatë, duhet të mbash mend se qëndrimi i secilit prej nesh kundër nacionalizmit vërtetohet nga veprimet që ndërmarrim. Dhe ti e di mirë se puna, përpjekjet dhe luftërat tona në promovimin e paqes dhe bashkëpunimit në rajon, përfshirë edhe përmes Marrëveshjes ikonike të Prespës, nuk i lënë hapësirë askujt që të më mbajë leksione publike se çfarë do të thotë nacionalizëm, apo se çfarë përfaqëson e Majta e shekullit të 21-të.
Tek e fundit, duhet të jemi të kujdesshëm që të mos ngatërrojmë detyrën patriotike për të mbrojtur të drejtat e Minoritetit tonë Kombëtar, – dhe të çdo minoriteti – me tendencat nacionaliste që për fat të keq po helmojnë sërish botën tonë.
Më vjen mirë, megjithatë, që u morën masa ndaj atyre që morën pjesë në këtë incident. Dhe shpresoj sinqerisht që autoritetet kompetente të garantojnë mbrojtjen e të drejtave ligjore të të gjithë qytetarëve të përfshirë.
Jam i sigurt se edhe ti e pranon që forcat politike progresive duhet të ngrihen në mbrojtje të shtetit të së drejtës – pavarësisht nëse bëhet fjalë për raste të izoluara, apo për incidente që nuk janë të izoluara sepse vazhdojnë të ndodhin përsëri. Dhe kjo është, natyrisht, një shqetësim për të Majtën në të gjithë Evropën.
Dhjetë vjet më parë, miku im Edi, patëm mundësinë të diskutonim për rëndësinë që do të kishte për perspektivën evropiane të Shqipërisë garantimi i të drejtave të pronësisë për të gjithë qytetarët shqiptarë – duke përfshirë natyrisht edhe Minoritetin Kombëtar Grek. Progresi substancial në këtë drejtim do të jetë themelor për të ardhmen evropiane të Shqipërisë dhe të popullit të saj, me të cilin jemi të lidhur përmes lidhjeve të miqësisë. Çdo hap pas do të jetë një pengesë në këtë rrugë. Dhe ky është një fakt.
Miku im i vjetër Edi,
Të uroj gjithë të mirat dhe mezi pres bashkëpunimin tonë në të ardhmen, për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor dhe veçanërisht të Shqipërisë, si dhe për marrëdhëniet greko-shqiptare.
Festa e çmendur për titullin botëror të Spanjës përfundon në tragjedi, humb jetën 13-vjeçari