zoom

Aktualitet

Protestuesit i lanë 24 orë afat, Rama mbron sërish projektin: Zvërneci mund të jetë Costa Navarino e Mesdheut

Protestuesit i lanë 24 orë afat, Rama mbron sërish projektin: Zvërneci mund të jetë Costa Navarino e Mesdheut

Pas protestave të zhvilluara në Tiranë kundër projektit turistik në Zvërnec dhe ultimatumit 24-orësh që protestuesit i dhanë qeverisë, kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish, këtë herë përmes një postimi të gjatë në rrjetet sociale.

Kreu i qeverisë solli si shembull resortin e njohur turistik Costa Navarino në Greqi, duke argumentuar se projektet e mëdha zhvillimore shpesh paragjykohen dhe kundërshtohen përpara se të japin rezultatet e tyre.

Sipas Ramës, edhe projekti grek u përball me protesta, peticione dhe paralajmërime për pasoja të rënda mjedisore para se të ndërtohej.

“Para se të ndërtohej, u tha se po vinte fundi i botës. U tha se do të shkatërrohej natyra, se do të zhdukej biodiversiteti, se fushat e golfit do të konsumonin ujin e brezave të ardhshëm dhe se një nga peizazhet më të bukura të Mesdheut do të mbulohej nga betoni”, shkruan Rama.

Sipas tij, realiteti rezultoi krejt ndryshe. Kryeministri thekson se Costa Navarino është shndërruar sot në një nga destinacionet turistike më prestigjioze të Europës, duke gjeneruar miliarda euro për ekonominë greke, mijëra vende pune dhe zhvillim për bizneset lokale.

Në postimin e tij, Rama rendit edhe disa të dhëna që, sipas tij, tregojnë ndikimin pozitiv të resortit në mjedis, duke përmendur uljen e emetimeve të karbonit, përdorimin e energjisë së rinovueshme dhe riciklimin e ujit.

Megjithatë, kryeministri thekson se shembulli i Costa Navarinos nuk do të thotë se çdo investim i madh është automatikisht i mirë apo se çdo shqetësim i qytetarëve është i pabazuar.

“Zhvillimi nuk mund të mohohet kategorikisht. Një projekt bashkëjetese i zhvillimit me natyrën nuk mund të paragjykohet arbitrarisht”, shprehet ai.

Në fund të reagimit, Rama e lidh drejtpërdrejt shembullin grek me projektin që pritet të zhvillohet në Zvërnec, duke deklaruar se Shqipëria mund të ketë “Costa Navarinon” e saj.

“Po Shqipëria s’mund ta ketë Costa Navarinon e saj? Patjetër që po, madje ende më rrezatuese botërisht, mu aty në Zvërnec”, shkruan kryeministri.

Deklarata vjen në një kohë kur projekti turistik në Zvërnec vijon të shkaktojë debate të forta publike, protesta qytetare dhe hetime nga SPAK për çështje që lidhen me pronësinë e tokave në zonë.

Postimi i Ramës:

Postime të lidhura