zoom

Të gjitha

Protesta në Tiranë hyn në ditën e 45-të

Protesta në Tiranë hyn në ditën e 45-të

Mbrëmjen e kësaj të marte, 14 korrik, protestuesit u rikthyen sërish në bulevardin përpara godinës së Kryeministrisë, duke vijuar protestën e tyre që ka hyrë në ditën e 45-të.

Ata theksojnë se do të vazhdojnë rezistencën deri në plotësimin e kërkesave, të cilat i konsiderojnë të panegociueshme.

Si çdo ditë tjetër, tubimi nisi në sheshin “Skënderbej” në Tiranë, prej nga protestuesit marshuan përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit” drejt Kryeministrisë.

Pas mbërritjes përpara godinës së qeverisë, ata mbajtën fjalime dhe shpalosën pankarta, ndërsa dëgjoheshin thirrje si “Shqipëri e re” dhe “Shqipëria kërkon revolucion”.

Mes kërkesave të tyre janë dorëheqja e qeverisë, ngritja e një qeverie teknike, shfuqizimi i ligjit për investimet strategjike, si edhe anulimi i investimit të planifikuar në zonën e Zvërnecit.

Protestat në kryeqytet nisën fillimisht si kundërshtim ndaj projektit të investimit të parashikuar në Zvërnec të Vlorës. Me kalimin e ditëve, protestuesit kanë zgjeruar listën e kërkesave, duke përfshirë edhe çështje të tjera që, sipas tyre, kërkojnë zgjidhje.

Postime të lidhura