zoom

Lajme

“Dy pazare të mëdha të verës”- Bojkoti i Kuvendit, Salianji akuza Berishës: Po mbron marrëveshjen me Ramën

“Dy pazare të mëdha të verës”- Bojkoti i Kuvendit, Salianji akuza Berishës: Po mbron marrëveshjen me Ramën

Ish-deputeti demokrat Ervin Salianji ka reaguar pas bojkotit të seancës plenare nga opozita, duke deklaruar se mungesa e deputetëve në Kuvend nuk lidhet me protestën dhe incidentet me vezë, por me atë që ai e cilëson si “dy pazare të mëdha të verës”, sipas tij, mes kryeministrit Edi Rama dhe kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha.

Sipas Salianjit, “vezët janë veç një justifikim banal dhe i ulët”, ndërsa shton se deputetët e grupit parlamentar kanë qenë kundër bojkotit dhe kanë kërkuar përballje politike në Kuvend.

“Nëse do të kishte vullnet për opozitë, deputetët do të ishin në sallë për t’u përballur me qeverinë”, shprehet ai, duke pretenduar se Berisha po “mbron marrëveshjen e tij me Edi Ramën”.

Salianji thotë se pazari i parë lidhet me reformën zgjedhore. Sipas tij, Berisha “nuk ka paraqitur asnjë propozim serioz për ndryshimin e Kodit Zgjedhor”, duke mos kërkuar lista 100% të hapura, sistem proporcional kombëtar apo zgjedhjen e drejtpërdrejtë të deputetëve nga qytetarët. Ai shton gjithashtu se opozita po hesht edhe për propozimet e paraqitura nga Forumi për Dialog mes partive opozitare.

Për reformën territoriale, Salianji deklaron se “vetëm një javë para përfundimit të afatit të Komisionit për Reformën Territoriale, Sali Berisha nuk ka paraqitur asnjë alternativë” për ndarjen e re administrative. Sipas tij, “Berisha gjasme bojkoton, Rama e kalon sipas qejfit reformën territoriale”, ndërsa bojkoti i Kuvendit, në vlerësimin e tij, “nuk është akt rezistence ndaj Edi Ramës; është mbulesa e radhës për pazaret që po bëhen larg syve të qytetarëve”.

Postimi i plote:

Reforma zgjedhore dhe reforma territoriale; Dy pazaret e mëdha të verës nga Rama-Berisha për të mbajtur në këmbë sistemin.

Bojkoti i seancës plenare për shkak të frikës së vezëve është ironia më e madhe e 14 viteve të dergjes së demokratëve në opozitë.

Kundër bojkotit kanë qenë deputetët e grupit parlamentar, të cilët kanë kërkuar përballje politike me Edi Ramën në Kuvend. Megjithatë, Sali Berisha nuk i lejon të marrin pjesë, duke u fshehur pas justifikimit të frikës nga protestuesit dhe vezët, ndërsa në të vërtetë po mbron marrëveshjen e tij me Edi Ramën.
Vezët janë veç një justifikim banal dhe i ulët.
Nëse do të kishte vullnet për opozitë, deputetët do të ishin në sallë për tu përballur me qeverinë. Frika e vërtetë është nga kërkesa gjithnjë e më e fortë e qytetarëve që Sali Berisha të largohet, pasi është shndërruar në patericën politike që e mban Edi Ramën në pushtet. Nën trysnine qytetare te presionit per largim Berisha po ben marreveshjet e reja me Ramen.

Dy pazare të mëdha në kurriz të opozitës dhe të qytetarëve po bëhen ndërkohë!

Pazari i parë është reforma zgjedhore. Sali Berisha nuk ka paraqitur asnjë propozim serioz për ndryshimin e Kodit Zgjedhor. Nuk kërkon lista 100% të hapura, nuk kërkon sistem proporcional kombëtar dhe nuk mbron të drejtën e qytetarëve për të zgjedhur drejtpërdrejt deputetët. Po braktis një nga kerkesat kryesore të protestuesve dhe po hesht edhe për propozimet e paraqitura nga Forumi për Dialog mes partive opozitare.

Pazari i dytë është reforma territoriale. Vetëm një javë para përfundimit të afatit të Komisionit për Reformën Territoriale, Sali Berisha nuk ka paraqitur asnjë alternativë për mënyrën se si opozita mendon se duhet të organizohet ndarja e re administrative e vendit. Pas turit të përbashkët me Edi Ramën në çdo qendër qarku, ku kontribuoi në përqendrimin e përfaqësimit politik në pak duar, tani po ia dorëzon në heshtje edhe reformën territoriale, pa debat, pa transparencë dhe pa asnjë vizion alternativ për Shqipërinë. Berisha gjasme bojkoton Rama e kalon sipas qejfit reformen territoriale.

Bojkoti i Kuvendit nuk është akt rezistence ndaj Edi Ramës; është mbulesa e radhës për pazaret që po bëhen larg syve të qytetarëve.

Postime të lidhura