zoom

Aktualitet

Takimi në Tiranë, Salianji akuza Ramës dhe Berishës: Njëri vjedh Shqipërinë, tjetri opozitën

Takimi në Tiranë, Salianji akuza Ramës dhe Berishës: Njëri vjedh Shqipërinë, tjetri opozitën

Ish-deputeti i PD-së, Ervin Salianji, i cili shpalli kandidaturën për kreun e Partisë Demokratike, por nuk u lejua të garojë, po zhvillon një takim me demokratët në sheshin para Akademisë së Arteve në Tiranë.

Salianji hodhi akuza ndaj qeverisë, duke thënë se ajo ka ndikuar në shpopullimin e vendit, teksa theksoi se ka rënë numri i nxënësve dhe lindjeve në Shqipëri.

Më tej, ish-deputeti demokrat thumboi kreun e PD-së, Sali Berisha, dhe kryeministrin Edi Rama, teksa u shpreh: “Njëri vjedh Shqipërinë, tjetri opozitën”.

Salianji: Shqipëria sot nuk po humbet vetëm para, por po humbet njerëz dhe besimin. Shqipëria po zbrazet dhe kjo është përgjegjësi edhe e jona. Sipas INSTAT-it, sot kemi më pak nxënës dhe studentë. Në vitin 2015, në Shqipëri lindën 32 mijë fëmijë, ndërsa në vitin 2025 vetëm 21 mijë. Pra, në një dekadë kemi pothuajse përgjysmim.

Shëndetësia e kësaj qeverie është e dështuar. Spitalet nuk kanë ilaçe për kancerin, por kanë para për terapi hormonale.

Rama nuk ka vepër pa pasur një skandal. Të gjitha veprat e tij kanë pasur një person të hetuar nga SPAK-u, të gjitha veprat publike janë shoqëruar me korrupsion.

Por ka një problem, si përherë: Rama vjedh zgjedhjet dhe ne si PD nuk arrijmë të çojmë 800 mijë njerëz në kutitë e votimit për të kaluar numrin e votave që ai vjedh. Sepse, siç e patë, pa krijuar epërsi morale nuk mundim Edi Ramën.

Siç e patë, Rama vjedh zgjedhjet dhe ne si PD nuk duhet ta lejojmë këtë. Nëse Rama, para 13 vitesh, tha ‘Rilindje’, ne në PD nuk mund të lejojmë të jemi kaq përtacë sa të themi vetëm ‘ripërtëritje’.

Njëri vjedh Shqipërinë, tjetri opozitën. Rama autokrat i Shqipërisë, Berisha i opozitës. Meqë thatë ku janë të rinjtë e PD-së, ja ku i keni në këtë shesh, meqë nuk na lejuan të ishim te Pallati i Kongreseve.

Postime të lidhura