Aplikacion
Neritan Nallbati nuk do të jetë më pjesë e Policisë së Shtetit. Ai ka konfirmuar largimin e tij pasi nuk ka aplikuar në garën e hapur për drejtuesit e rinj të disa prej departamenteve më të rëndësishme të strukturës së policisë.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hitaj, ka hapur procedurat për përzgjedhjen e drejtuesve të rinj të Departamentit të Policisë Kriminale, Departamentit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare, si dhe Departamentit të Kufirit dhe Migracionit.
Nallbati, i cili prej 1 gushtit 2022 drejtonte Departamentin e Policisë Kriminale, një nga strukturat kryesore të Policisë së Shtetit dhe që konsiderohet si pozicioni i dytë më i rëndësishëm në hierarkinë e policisë, nuk ka dorëzuar aplikim për të vijuar në këtë detyrë.
Pas largimit të tij, Departamenti i Policisë Kriminale pritet të drejtohet nga një emër i ri. Ndër kandidatët që përmenden si më potencialë janë Lorenc Panganika dhe Alban Dautaj, të dy oficerë me një karrierë të gjatë në radhët e Policisë së Shtetit.
Gjatë karrierës së tij shumëvjeçare në polici, Neritan Nallbati ka mbajtur një sërë detyrash drejtuese në struktura të ndryshme. Ai ka qenë drejtor i Policisë në Durrës, Berat, Fier, Elbasan dhe Vlorë, si dhe ka drejtuar Departamentin për Sigurinë dhe Drejtorinë e Standardeve Profesionale.
Gjithashtu, Nallbati ka shërbyer si këshilltar i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, zëvendësdrejtor i Policisë së Qarkut Tiranë, shef komisariati dhe shef i Policisë Kriminale Tiranë.
Në fillimet e karrierës së tij ka mbajtur edhe funksione operative si specialist në Policinë e Elbasanit, specialist në Drejtorinë e Policisë Kriminale pranë Ministrisë së Rendit Publik, si dhe role të tjera në strukturat e hetimit dhe sigurisë.
ARRSH hap tenderin 5.24 milionë euro për lidhjen e Unazës Verilindore me Rrugën e Arbërit