Aplikacion
Një ditë e zakonshme pushimesh në bregdetin francez u kthye papritur në një skenë kaosi, pasi një fenomen i fuqishëm atmosferik goditi një plazh duke sjellë erëra të forta, ulje të menjëhershme të temperaturave dhe ndryshim drastik të motit.
Pamjet e publikuara nga plazhi Antai në Francë tregojnë momentin kur stuhia e quajtur “Galerne” mbërriti në zonë. Brenda pak minutash, qielli u errësua, era u përshpejtua dhe pushuesit nisën të largoheshin me nxitim për të mbledhur sendet personale dhe për të gjetur një vend më të sigurt.
Erërat e fuqishme ngritën në ajër çadra plazhi, peshqirë dhe sende të tjera të pushuesve, duke krijuar një situatë të pazakontë për personat që ndodheshin në bregdet.
Sipas të dhënave meteorologjike, temperatura në zonë pësoi një rënie të menjëhershme prej rreth 11 gradësh Celsius në vetëm pak minuta, ndërsa kushtet atmosferike ndryshuan në mënyrë të befasishme.
Fenomeni “Galerne” është një erë e ftohtë veriperëndimore tipike për brigjet e Gjirit të Biskajës. Ai krijohet kur masa ajri të ftohtë nga oqeani përplasen me ajrin e ngrohtë mbi tokë, duke shkaktuar një ndryshim të shpejtë të motit dhe erëra që mund të arrijnë shpejtësi të larta.
Disa pushues e përshkruan momentin si një përvojë të pazakontë dhe të frikshme.
“U errësua papritur, u mbush gjithçka me re dhe mjegull”, tha një prej dëshmitarëve.
Një tjetër turist u shpreh se ishte një fenomen që nuk e kishte parë më parë dhe se ndryshimi i motit ndodhi shumë shpejt./ Zoom.al