Aplikacion
Pjesa kontinentale e Portugalisë po përjeton një valë të fuqishme të nxehti, pjesë e një fenomeni të gjerë që ka përfshirë një pjesë të madhe të Evropës Perëndimore, me temperatura që në disa zona të Gadishullit Iberik, Greqisë dhe Francës kanë arritur deri në 42°C.
Krahas temperaturave ekstreme, moti i paqëndrueshëm ka sjellë reshje të papritura, stuhi dhe breshër, sidomos në brendësi të territorit portugez.
Por pamjet më befasuese erdhën nga bregdeti, ku të dielën pasdite, pushuesit u surprizuan nga një fenomen spektakolar dhe i rrallë meteorologjik: re dallgësh.
Fenomeni, i njohur si “roll cloud”, u shfaq në disa plazhe portugeze. Re që lëviznin horizontalisht mbi sipërfaqen e oqeanit, avancuan drejt bregut duke krijuar një pamje mbresëlënëse, që u përhap me shpejtësi në rrjetet sociale. Retë u shoqëruan me erë të fortë.
Sipas ekspertëve të motit, ky fenomen krijohet nga bashkëveprimi mes masave ajrore të ndryshme dhe flladit të detit.