zoom

Bota

Tragjedi në Bruksel, gjenden viktima në ashensor pas zjarrit në një kantier

Tragjedi në Bruksel, gjenden viktima në ashensor pas zjarrit në një kantier

Një ngjarje tragjike ka tronditur Brukselin këtë të martë, pasi disa persona janë gjetur të pajetë brenda një ashensori në një ndërtesë që ishte në proces rikonstruksioni dhe ku më herët kishte rënë zjarr.

Autoritetet belge konfirmuan se operacioni i kërkim-shpëtimit vijon, ndërsa gjashtë persona rezultojnë ende të zhdukur. Hetuesit nuk përjashtojnë mundësinë që ata të jenë bllokuar në një tjetër ashensor ose në pjesë të tjera të godinës, ku ekipet e emergjencës ende nuk kanë arritur të depërtojnë.

Sipas Zyrës së Prokurorit të Punës në Bruksel, zjarrfikësit mundën të krijonin një hapje në një nga boshtet e ashensorit, ku u zbuluan disa viktima. Megjithatë, numri i saktë i personave të pajetë nuk është bërë ende publik, pasi operacioni është ende në zhvillim.

Ngjarja nisi pak para orës 08:00 me orën lokale, kur flakët shpërthyen në katin e dytë të objektit. Edhe pse zjarri fillestar u neutralizua brenda një kohe të shkurtër, ai u përhap më pas në boshtin e ashensorit, duke krijuar një vatër të dytë, e cila u vu nën kontroll nga shërbimet zjarrfikëse.

Përveç viktimave, tre persona mbetën të lënduar. Dy punëtorë, të cilët pësuan djegie, u transportuan në Spitalin Ushtarak të Neder-over-Heembeek për trajtim mjekësor, ndërsa një zjarrfikës mori ndihmë në vendngjarje pasi u ndje keq nga ekspozimi ndaj temperaturave të larta.

Punëtorët e tjerë u evakuuan menjëherë nga kantieri dhe u dërguan në një zonë të sigurt, ku morën asistencë psikologjike nga ekipet e Kryqit të Kuq. Ndërkohë, autoritetet aktivizuan planin e emergjencës dhe procedurat për menaxhimin e situatës.

Shkaqet që çuan në shpërthimin e zjarrit nuk janë përcaktuar ende dhe mbeten objekt i hetimeve./ Zoom.al

Postime të lidhura