zoom

Lajme

Berisha mbron investimin në Zvërnec: Projekti më serioz i viteve të fundit

Berisha mbron investimin në Zvërnec: Projekti më serioz i viteve të fundit

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar lidhur me debatet dhe tensionet e krijuara për projektin turistik në zonën e Zvërnecit, duke e cilësuar atë si një nga investimet më të rëndësishme të realizuara në Shqipëri gjatë viteve të fundit.

Gjatë fjalës së mbajtur në Kuvend, Berisha deklaroi se Partia Demokratike mbështet investimet e huaja dhe paralajmëroi se klima e krijuar nga konfliktet dhe reagimet publike po largon investitorët nga vendi.

Sipas tij, investitori ka vepruar mbi bazën e dokumenteve dhe miratimeve zyrtare të institucioneve shtetërore, ndërsa çdo pretendim për çështje pronësie duhet të trajtohet nga shteti dhe jo të kthehet në pengesë për projektin.

Berisha u shpreh se në raste të tilla shteti ka detyrimin të kompensojë qytetarët për çdo parregullsi apo abuzim të mundshëm dhe më pas të ndjekë ligjërisht përgjegjësit.

Ai komentoi edhe situatën e krijuar pas protestës në Zvërnec, duke e konsideruar të papranueshëm dhunimin e protestuesit nga efektivë të sigurisë private.

“Çfarë ndodh tani? Tani unë po ju them prapë: PD mbështet investimin e huaj dhe ju po largoni të vetmin investitor të huaj që ka mbetur në Shqipëri. Po e largoni. Vetë më tha ai: “Ju më votuat mua”. E hoqi maskën.

Britma për çështje pronësie? PD qëndron për respektin e plotë dhe absolut të së drejtës së pronës. Cila ka qenë zgjidhja në një kohë kur investoheshin miliarda këtu? Po qe se ke projekt të miratuar nga qeveria, me dokumente të firmosura nga institucionet zyrtare, kadastra dhe agjenci të tjera, dhe shteti ta miratonte projektin, askush tjetër nuk kishte më punë me investitorin.

Çdo qytetar, për çdo parregullsi, për çdo abuzim, kishte shtetin, i cili do ta dëmshpërblente atë me kushtet e tregut dhe më pas do të ndëshkonte me forcën e ligjit falsifikatorin dhe spekulantin. Ky ligj është në fuqi. Po ku keni ligj ju? Keni vetëm ligjin e xhepit.

Shikoni ç’po ndodh me aeroportin e Vlorës. Ka shqiptarë që nuk e dinë që po bëni copa për t’u marrë aksionet. Doni t’ua merrni aksionet sepse janë në lojë 13 milionë euro, 10 milionë në vit bileta të munguara. Del karakatinë dhe u thotë: “Zini zgjidhje”. Çfarë zgjidhjeje? A foli Gjykata e Lartë? Zbatoni vendimin e gjykatës.

Ajo që ndodhi me rrëmbimin e qytetarit që po protestonte i qetë, absolutisht pa bërë asgjë, ishte barbare. U zvarrit në mënyrë ç’njerëzore”, tha Berisha.

Postime të lidhura