zoom

Aktualitet

Protestuesi në Zvërnec u tërhoq zvarrë dhe u dhunua, u hiqet licenca dy kompanive të sigurisë “Myrto Security 1.3A” dhe “Major Security”

Protestuesi në Zvërnec u tërhoq zvarrë dhe u dhunua, u hiqet licenca dy kompanive të sigurisë “Myrto Security 1.3A” dhe “Major Security”

Zhvillime të reja kanë dalë pas incidentit të ndodhur gjatë protestës në Portonovë të Zvërnecit, ku një protestues, minoritar grek, u dhunua dhe u tërhoq me forcë nga punonjës të sigurisë private.

Policia e Shtetit ka vendosur t’u heqë licencën dy kompanive private të sigurisë, “Myrto Security 1.3A” dhe “Major Security”.

Sipas hetimeve administrative të kryera nga Departamenti për Sigurinë Publike, të dy subjektet kanë rezultuar me shkelje të rënda gjatë menaxhimit të sigurisë në zonën ku u zhvillua protesta.

Policia bën me dije se subjekti “Myrto Security 1.3A” nuk kishte marrë masat e nevojshme për kontrollin e hyrje-daljeve në objekt, duke lejuar futjen e personave të paidentifikuar brenda rrethimit. Sipas autoriteteve, disa prej tyre ndërhynë fizikisht ndaj protestuesve, duke ushtruar dhunë dhe duke shkaktuar lëndime trupore.

“Nga ana e këtij subjekti nuk administrohej lista e personave dhe mjeteve që lejoheshin të hynin në objekt. Për shkak të mospërmbushjes së këtyre kritereve, më datë 30.05.2026, janë lejuar të hyjnë në brendësi të rrethimit, persona të paidentifikuar dhe të panjohur nga personeli i shërbimit. Këta persona, gjatë tubimit, kanë ndërhyrë pa patur asnjë atribut ligjor dhe kanë goditur e tërhequr me forcë një shtetas pjesëmarrës në protestë, duke i shkaktuar lëndime trupore. Gjithashtu, kanë reaguar kundër protestuesve me gurë dhe sende të tjera nga rrethimi i pronës. Ndaj këtyre shtetasve që kryen veprimet e dhunshme, punonjësit e ShPSF “Myrto Security 1.3A” nuk kanë kryer asnjë veprim parandalues apo për largimin e tyre”, raporton policia.

Ndërkohë, nga verifikimet rezultoi se punonjësi i licencuar i “Major Security”, 32-vjeçari Gerald Biba, së bashku me dy persona të tjerë që nuk figuronin të regjistruar apo licencuar nga kompania, kryen veprime arbitrare ndaj një protestuesi. Bëhet fjalë për ngjarjen ku shtetasi E.S. u godit, u mor me forcë dhe u dërgua brenda rrethimit të pronës.

”Ndërsa punonjësi i licencuar i subjektit ShPSF “Major Security”, së bashku me dy persona të tjerë, të cilët u proceduan penalisht, dhe nga verifikimet rezultoi se dy të proceduarit nuk figuronin të regjistruar apo të licencuar nga subjekti SHPSF “Major Security”, kryen veprime arbitrare duke shpërdoruar detyrën dhe në tejkalim të kompetencave, pasi goditi me grusht një prej protestuesve, e morën me forcë dhe e çuan në brendësi të rrethimit duke i shkaktuar dëmtime trupore”, informuan blutë.

Pamjet e incidentit shkaktuan reagime të forta publike dhe nxitën nisjen e hetimeve nga Policia e Shtetit.

Ndërkohë, hetimet penale dhe administrative për ngjarjen në Zvërnec vijojnë.

Postime të lidhura