Aplikacion
Një situatë e tensionuar është regjistruar këtë të hënë në ambientet e Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, gjatë zhvillimit të një seance paraprake që lidhet me çështjen e vrasjes së 23-vjeçarit Renis Dobra.
Gjatë seancës, Petrit Çakraj dhe vëllezërit Aleksandër, Kristi dhe Fatjon Bushgjokaj, të cilët janë nën akuzë për këtë ngjarje, u përfshinë në një përplasje fizike mes tyre brenda hapësirës së sigurisë në sallën e gjyqit.
Mësohet se përplasja nisi pasi Petrit Çakri vendosi të dëshmojë për vrasjen e 23-vjeçarit Renis Dobra, ngjarje për të cilën akuzohen të katërt.
Sipas vëllezërve, Çakri ka gënjyer mbi dëshminë që po jepte për rastin.
Për shkak të incidentit, gjykata ka vendosur ndërprerjen e përkohshme të procedurave gjyqësore.
Të pandehurit akuzohen për vrasjen e të riut Renis Dobra në zonën e Klosit, si dhe për fshehjen e krimit duke hedhur trupin e viktimës në lumë.
Autoritetet pritet të sqarojnë detaje të mëtejshme lidhur me incidentin e ndodhur brenda sallës së gjyqit, si dhe masat që do të merren pas përplasjes mes të akuzuarve./ Zoom.al