zoom

Bota

Jordan Bardella po vjen për Europën

Jordan Bardella po vjen për Europën

Në një intervistë ekskluzive për POLITICO, lideri i Tubimit Kombëtar ((Rassemblement National), Jordan Bardella tha se do të kërkonte përgjysmimin e kontributit të Francës në buxhetin e BE-së.

BRUKSEL — Jordan Bardella ka një paralajmërim për Brukselin: e djathta ekstreme e Francës po zbut linjën e saj ndaj NATO-s, por jo ndaj Bashkimit Europian.

Në një intervistë ekskluzive për POLITICO, favoriti për zgjedhjet presidenciale franceze u zotua të sfidojë buxhetin afatgjatë të BE-së, të reduktojë kontributin e Francës ndaj Brukselit dhe të ndërtojë aleanca me qeveritë nacionaliste për të detyruar një rishikim të mënyrës se si funksionon blloku.

“Ajo që Bashkimi Europian përfaqëson — ajo mbi të cilën u themelua — globalizimi pozitiv, fuqia absolute e tregut, imigracioni i pakontrolluar, rënia ekonomike dhe rregulloret e tepërta mbi ekonominë, bizneset dhe industrinë europiane, të gjitha këto janë thellësisht të vjetruara, të gjitha këto janë thellësisht jashtë mode, të tejkaluara,” tha Bardella, anëtar i Parlamentit Europian dhe president i Tubimit Kombëtar të së djathtës ekstreme në Francë.

“Prandaj, ne duhet të ndryshojmë mënyrën se si funksionon Bashkimi Europian,” shtoi ai.

Fjalët e Bardella-s nuk do të bëjnë pothuajse asgjë për të qetësuar partnerët jashtë vendit, të cilët mund ta kenë menduar atë si më të matur dhe më pak konfrontues se mentorja e tij Marine Le Pen dhe më të prirur për të kërkuar kompromis me BE-në sesa për t’i vënë flakën asaj.

Në intervistën e zhvilluar përpara një udhëtimi në Poloni, Bardella u përpoq të siguronte aleatët për qëndrimin e Tubimit Kombëtar ndaj NATO-s dhe angazhimet e sigurisë së Francës në krahun lindor të Europës.

Por sa i përket çështjeve të BE-së, ai ende dëshiron të ndryshojë rrënjësisht bllokun — një paralajmërim ky për eurofilët që shpresonin se ai do të qeveriste më shumë si Kryeministrja italiane Giorgia Meloni, e cila ka bërë marrëveshje në Bruksel, sesa si ish-Kryeministri hungarez Viktor Orbán, i cili vazhdimisht ka bllokuar makinerinë e BE-së.

“Ne nuk dëshirojmë të largohemi nga Bashkimi Europian,” tha Bardella. “Ne dëshirojmë të ndryshojmë gjithçka pa shkatërruar asgjë.”

Lideri i së djathtës ekstreme veçoi buxhetin e ardhshëm afatgjatë të BE-së si një betejë të hershme. Ndërsa shumë njerëz në Bruksel shpresojnë t’i mbyllin negociatat përpara fundit të vitit, Bardella e denoncoi këtë afat kohor si një përpjekje për të blinduar planet e shpenzimeve përpara një ndryshimi të mundshëm politik në Paris.

“Ideja është padyshim që buxheti të bllokohet përpara një ndryshimi të mundshëm të mazhorancës në Francë,” tha ai, duke e përshkruar këtë si “thellësisht antidemokratike”.

“Ekzekutivi i ardhshëm francez, kushdo qoftë ai, duhet të ketë fjalën e tij në këtë buxhet, sepse ai do të angazhojë Francën — dhe rrjedhimisht të ardhmen e popullit francez dhe buxhetin e bashkëqytetarëve tanë — për vitet në vijim,” shtoi ai.

Në një përshkallëzim nga deklaratat e tij të mëparshme për këtë temë, Bardella tha se do të kërkonte menjëherë “të përgjysmonte” kontributin e vendit në buxhetin e BE-së, i cili sipas tij “parashikohet të rritet me një ritëm deluziv”.

Ai i kornizoi kërkesat e tij si ekuivalentin e rimbursimeve (rabateve) që disa vende më të pasura të BE-së, si Gjermania dhe Holanda, kanë marrë lidhur me kontributet e tyre në buxhetin e bllokut.

“Ne do t’u kthejmë paratë francezëve, sepse Franca është e destinuar të bëjë veten të respektohet dhe të mbrojë interesat e saj,” tha ai, duke paralajmëruar Komisionin Europian se nëse dëshiron të gjejë më shumë para, duhet të shkurtojë shpenzimet e tij operative.

Ky argument pasqyronte qasjen e populistit britanik Nigel Farage gjatë epokës së Brexit-it: se shkëputja nga Brukseli ishte mënyra për të rifituar kontrollin mbi financat kombëtare. Por Bardella po e bën këtë në Francë, një vend themelues i BE-së, llogaritë publike të të cilit janë tashmë nën një presion të rëndë.

Ofensiva europiane

Më 7 korrik, Bardella do të mësojë nëse do të jetë kandidati i partisë së tij për zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm. Kjo është data kur një gjykatë apeli pritet të vendosë nëse do të lërë në fuqi dënimin e Le Pen për përvetësim fondesh dhe ndalimin shoqërues pesëvjeçar për të mbajtur poste publike.

Nëse Bardella përzgjidhet për të garuar, ai konsiderohet gjerësisht si favoriti për të fituar raundin e parë. Sondazhet e hershme tregojnë gjithashtu se ai mposht kandidatët e tjerë në balotazh, megjithëse me një diferencë të ngushtë përballë kandidatëve centristë.

Udhëtimi i tij në Poloni është pjesë e një përpjekjeje më të gjerë për të afruar partnerë potencialë dhe bashkëudhëtarë ideologjikë, si Meloni, të cilën ai e admiron hapur.

Ndonëse Bardella ka thënë se sheh “pika të përbashkëta” me Kancelarin konservator të Gjermanisë, Friedrich Merz, për lehtësimin e rregulloreve dhe frenimin e migracionit, ai e bëri të qartë në intervistë se fillimisht po kërkon aleatë tek partitë e tjera nacionaliste.

Në Varshavë këtë javë, lideri i së djathtës ekstreme franceze tha se do të takohej me figura nga partia Ligj dhe Drejtësi — një parti e djathtë që kontrollon presidencën e vendit dhe është e dyta në sondazhe përpara zgjedhjeve parlamentare që pritet të mbahen vitin e ardhshëm, gjë që mund t’i japë mundësinë për të udhëhequr një qeveri koalicioni.

“Ambicia jonë është të mendojmë gjerë dhe të ndërtojmë këtë arkitekturë të re europiane që ne imagjinojmë,” tha Bardella gjatë intervistës. “Kam shpresë se nëse, pas pak muajsh, populli francez na jep besimin e tij dhe ne marrim presidencën e Republikës Franceze… do të jemi në gjendje ta zgjerojmë këtë aleancë” me parti dhe qeveri europiane me mendësi të ngjashme.

Aleatët e Francës në Europën Lindore po ndjekin nga afër qëndrimin e së djathtës ekstreme ndaj NATO-s dhe mbrojtjes, pasi lufta e Rusisë në Ukrainë ka nxitur një garë riarmatimi në mbarë kontinentin.

Bardella ka zbutur premtimin e hershëm të Le Pen për të tërhequr Francën nga komanda e integruar ushtarake e NATO-s, një gur themeli i qëndrimit tradicionalisht izolacionist të partisë. Ky vendim do të nënkuptonte që trupat franceze do të ishin më pak të përfshira në planifikimin e përbashkët të aleancës.

“Ne nuk dëshirojmë të largohemi nga kjo komandë e integruar për sa kohë ka luftë në pragun e Europës,” tha ai. “Korniza e traktateve nuk rishikohet në kohë lufte.”

Ndërsa këmbënguli se Franca do të nderonte angazhimet e saj të sigurisë ndaj aleatëve të krahut lindor, përfshirë Rumaninë dhe shtetet baltike, Bardella tha se një qeveri e Tubimit Kombëtar do të fokusohej fillimisht në mbrojtjen e interesave franceze.

Kur bëhet fjalë për parandalimin bërthamor, lideri i pasluftës i Francës, Charles de Gaulle, “me të drejtë na kujtoi se mbrojtja e interesave jetike të kombit francez nuk ndalet në kufijtë e Francës,” tha ai.

Ai citoi një kërcënim ndaj “rajonit të Beneluksit” — Belgjikës, Holandës dhe Luksemburgut — si një shembull ku interesat e Francës do të konsideroheshin në rrezik.

Hija e Le Pen

Përpjekja diplomatike e Bardella-s është gjithashtu një ushtrim në ripozicionimin politik. Në përgatitjet e tij për një garë të mundshme presidenciale, 30-vjeçari ka kërkuar të minimizojë disa nga qëndrimet e politikës së jashtme që përcaktuan Tubimin Kombëtar nën drejtimin e Le Pen.

Bardella ishte vetëm 19 vjeç kur partia negocioi një kredi të diskutueshme prej miliona eurosh nga një bankë ruse, dhe ai është kujdesur të distancohet nga figurat pro-Kremlinit të partisë — veçanërisht në vitet pas sulmit në shkallë të gjerë të Presidentit rus Vladimir Putin ndaj Ukrainës.

“Rusia e Presidentit Putin është një kërcënim shumëdimensional,” tha Bardella në intervistë, duke akuzuar Moskën për kryerjen e “agresionit të drejtpërdrejtë” ndaj “interesave franceze dhe interesave europiane”.

Mbi punët e jashtme, Bardella është mbështetur shumë tek anëtarët e delegacionit të tij në Parlamentin Europian që kanë lidhje me Europën Lindore. Ata përfshijnë Fabrice Leggeri, ish-kreun e agjencisë kufitare të BE-së Frontex, i cili ishte i vendosur në Varshavë, dhe Pierre-Romain Thionnet, një figurë me ndikim në gjeneratën e re të partisë, i cili ka udhëtuar në Ukrainë.

Ashpërsia relative e Thionnet ka shkaktuar fërkime me disa anëtarë të gardës së vjetër të partisë, të cilët do të preferonin t’i përmbaheshin politikës së jashtme të paanshme të mbrojtur nga Le Pen.

Tensionet mes dy fraksioneve dolën në dritë javën e kaluar, kur Thionnet postoi në X duke kritikuar atë që ai e përshkroi si “paqësorizëm” në qarqet nacionaliste. Kjo nxiti një qortim nga eurodeputeti veteran i Tubimit Kombëtar, Philippe Olivier, kunati dhe këshilltari i kahershëm i Le Pen, i cili u përgjigj: “A është lufta në interesin kombëtar?” Pas kësaj, Thionnet e fshiu postimin e tij fillestar.

Mosmarrëveshja pasqyron një debat më të gjerë brenda partisë mbi atë se sa larg duhet të shkojë Bardella në riformatimin e Tubimit Kombëtar përpara një gare të mundshme presidenciale, përfshirë edhe ekonominë, ku ai ka kërkuar të joshë votuesit më të moderuar.

Bardella i ka besuar një grupi të ngushtë këshilltarësh dhe ligjvënësish zhvillimin e platformës ekonomike të partisë për vitin 2027, duke përfshirë një grup pune prej tre personash të ngarkuar me identifikimin e barrës rregullatore që duhet shkurtuar.

Mes tyre është këshilltari i tij i ri special François Durvye, një financier i shquar i cili ka qenë në ballë të përpjekjeve për të ndërtuar ura me elitën e biznesit të vendit dhe e ka drejtuar shefin e tij drejt një discipline më të madhe fiskale, përfshirë edhe çështjen e pensioneve.

Njoftimi i Bardella-s muajin e kaluar se partia po “shqyrtonte” premtimin e saj për të kthyer moshën e pensionit në 62 vjeç u prit me zemërim nga garda e vjetër e Tubimit Kombëtar pranë Le Pen, të cilët frikësohen se një ndryshim në këtë çështje mund të tjetërsojë votuesit e klasës punëtore që kanë ushqyer rritjen e partisë.

“Ai dëshiron të shqyrtojë mundësi të tjera” përveç uljes së moshës së pensionit, tha një këshilltar i afërt i Bardella-s. “Ajo nuk dëshiron.”

Faktori i rinisë

Për Bardella-n dhe Le Pen, muajt e fundit kanë qenë një ekuilibër delikat, ku Bardella premton besnikëri ndaj menteshe së tij ndërsa përpiqet të projektojë staturën presidenciale që do t’i nvojitej nëse merr detyrën si kandidat i partisë në fillim të korrikut.

Hezitimi ishte i qartë në një konferencë shtypi në Bruksel të enjten, kur Bardella paralajmëroi një përplasje me BE-në nëse partia e tij vjen në pushtet.

“Nëse populli francez na jep besimin e tij pas pak muajsh, siç kemi thënë, ne do të bëjmë udhëtimin tonë të parë në Bruksel, Marine ose unë… ose Marine dhe unë… për të adresuar jofunksionalitetet aktuale të Bashkimit Europian,” tha ai.

Nga ana e saj, Le Pen e ka kornizuar prej kohësh gjyqin e saj për përvetësimin e dyshuar të fondeve të BE-së si të motivuar politikisht. Ajo e ka mbështetur publikisht Bardella-n si një kandidat të fortë rezervë, duke u përpjekur të shuajë spekulimet se rritja e treguesve të tij në sondazhe e bën atë më të prirur për ta lënë atë në hije.

Megjithatë, ajo nuk ka arritur të shmangë ndonjë rrëshqitje të rastësishme.

Gjatë një fushate për zgjedhjet lokale në mars, kur një votues i bëri thirrje asaj të hapi rrugë në favor të të riut Bardella, ajo u përgjigj me ironi: “Kujdes, edhe Macron u zgjodh i ri dhe bëri gjëra të tmerrshme.”

Si kandidat presidencial, Bardella ka avantazhe ndaj Le Pen, përvoja e gjatë dhe instinktet e forta politike të së cilës vijnë me një kosto: një emër që mbetet ende toksik për një pjesë të elektoratit, kthesa të përsëritura politike — më së shumti për largimin nga BE — dhe një imazh pro-Kremlinit që ka përndjekur partinë e saj që nga pushtimi i plotë i Ukrainës nga Rusia në vitin 2022.

Ndryshe nga ajo, rinia dhe eleganca e Bardella-s funksionojnë në favor të tij me votuesit më të moderuar. Atje ku Le Pen mund të tingëllojë luftarake, ai ka rrjedhshmërinë e shkathtë të një kandidati që ka kaluar pothuajse gjithë jetën e tij të rritur përpara mikrofonave.

Fëmija i vetëm i prindërve të ndarë të klasës punëtore, Bardella u rrit në banesa sociale në veri të Parisit, duke ndarë kohën e tij mes nënës së tij, një ndihmëse çerdheje nga Torino, dhe babait të tij, djalit të një imigranti italian, i cili drejtonte një biznes të makinave shitëse të pijeve.

E megjithatë, asetet e Bardella-s janë gjithashtu cenueshmëria e tij më e madhe, e përdorur nga kritikët e tij për të argumentuar se atij i mungon substanca dhe përvoja ekzekutive.

Profesionalisht, Bardella ka njohur vetëm Tubimin Kombëtar. Ai iu bashkua partisë në vitin 2012, kur ishte ende në shkollën e mesme, dhe u katapultua me shpejtësi në rrethin e saj të lartë. Pasi shërbeu si asistent parlamentar dhe këshilltar lokal në vitin 2015, ai u bë zëdhënës i partisë në vitin 2017, më pas zëvendëspresident i saj dhe anëtar i Parlamentit Europian në vitin 2019.

“Do t’i kushtohet një vëmendje e madhe aftësisë së kandidatëve për të drejtuar vendin në një mjedis ndërkombëtar të trazuar,” tha eurodeputetja e Renew, Nathalie Loiseau, një aleate kryesore e rivalit kryesor centrist të Bardella-s, ish-Kryeministrit francez Edouard Philippe. Suksesi do të “kërkojë bindje të qarta, përvojë të provuar dhe një karakter të besueshëm,” tha ajo, duke sugjeruar se Bardella nuk e ka atë që duhet.

Loiseau shtoi një thumbim ndaj Bardella-s, duke u tallur me një vizitë të fundit të Philippe në Ukrainë, të cilën lideri i së djathtës ekstreme e ka hedhur poshtë si një truk politik. “Ju mund ta shihni se sa patetike është kjo,” shtoi Loiseau. “Është një mënyrë për të larguar vëmendjen nga zbrazëtia në substancë.”

Sido që të jetë e vërteta për moshën e Bardella-s dhe mungesën e përvojës ekzekutive, nuk mund të mohohet virtuoziteti i tij kur bëhet fjalë për komunikimin, qoftë në TikTok, në debate me kundërshtarët apo në ndërhyrjet mediatike.

Teksa intervista me POLITICO po i afrohej fundit, atij iu tha se do t’i bëhej një pyetje e sikletshme për të dashurën e tij, Maria Carolina de Bourbon des Deux-Siciles, një princeshë dhe influencuese italiane.

“Pavarësisht moshës sime të re, kam bërë intervista rregullisht për një kohë të gjatë, kështu që nuk jam vërtet i turpëruar nga pyetjet,” tha ai.

Postime të lidhura