Aplikacion
Botërori 2026 ka prodhuar një nga zhvillimet më të papritura që në ditët e para të turneut. Kombëtarja e Tunizisë rrezikon të vazhdojë garën pa trajnerin e saj, pasi Sabri Lamouchi raportohet se ka vendosur të japë dorëheqjen vetëm pak orë pas ndeshjes së parë.
Vendimi vjen pas humbjes së thellë 5-1 ndaj Suedisë, një rezultat që shkaktoi zemërim të madh te tifozët tunizianë dhe vuri menjëherë në pikëpyetje të ardhmen e stafit teknik.
Sipas mediave pranë kombëtares afrikane, situata u përshkallëzua pas ndeshjes, kur djali i trajnerit dyshohet se u përball me tifozë të irrituar nga rezultati. Raportohet se ai ishte i pranishëm pranë ekipit gjatë qëndrimit në Botëror, megjithëse nuk kishte një rol zyrtar në stafin e përfaqësueses.
Ngjarja ka krijuar tension brenda delegacionit tunizian, ndërsa Lamouchi thuhet se e ka konsideruar situatën të papranueshme dhe ka vendosur të largohet nga drejtimi i skuadrës.
Dorëheqja e mundshme e teknikut francez me origjinë tuniziane vjen në një moment delikat për kombëtaren, e cila pas disfatës në debutim ka ende ndeshje vendimtare për të luajtur në fazën e grupeve.
Ndërkohë, mediat sportive në Tunizi raportojnë se Federata ka nisur lëvizjet për të siguruar vazhdimësinë e ekipit dhe emri që përmendet më shumë për të marrë drejtimin është ai i Mondher Kebaier, një trajner i njohur për tifozët tunizianë dhe me eksperiencë të mëparshme në krye të përfaqësueses.
Nëse largimi i Lamouchit konfirmohet zyrtarisht, Tunizia do të bëhej një nga skuadrat e para në historinë e Botërorit që ndryshon trajner gjatë zhvillimit të turneut, një situatë që tregon presionin e madh që ka sjellë humbja e rëndë në ndeshjen hapëse./ Zoom.al