Aplikacion
Detaje të reja janë zbuluar pas vrasjes së 39-vjeçarit Kreshnik Mujeci, i cili humbi jetën një ditë më parë në një atentat me armë zjarri, teksa udhëtonte me automjet së bashku me bashkëshorten e tij.
Mujeci rezulton të ketë qenë një nga mbështetësit aktivë të banorëve të Rrjollit, të cilët prej muajsh kundërshtojnë ndërtimin e një resorti turistik nga biznesmeni Bashkim Ulaj, duke pretenduar se tokat e tyre po u merren padrejtësisht.
Në rrjetet sociale po qarkullon një video, ku Mujeci shfaqet duke bërë thirrje publike për mobilizim në mbështetje të banorëve. Ai kërkonte që qytetarët të bashkoheshin në protestë për mbrojtjen e pronave.
“I bëj thirrje gjithë Shqipërisë: Amanet gjaku i shqiptarit, mos me i lënë këta klysh, me na i luajt kufijtë e të parëve”, dëgjohet të thotë ai në video.
Ngjarja e rëndë ka tronditur opinionin publik, ndërsa autoritetet vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe identifikimin e autorëve të atentatit. Ende nuk ka një version zyrtar për motivet e krimit.