Aplikacion
Policia ka arritur të gjejë një prej automjeteve të përdorura në atentatin ku humbën jetën Kreshnik dhe Gentiana Mujeci në zonën e Balldrenit, në Lezhë. Mjeti, një “Golf 5” pa targa, është lokalizuar i fshehur në zonën e Torovicës pas kontrolleve intensive të kryera në terren.
Ndërkohë, autoritetet kanë shpallur në kërkim tre persona të dyshuar për përfshirje në ngjarje: Adriano Mhillaj, 22 vjeç, Florin Mhillaj, 36 vjeç dhe Renato Mhillaj, 23 vjeç. Policia vijon operacionet për kapjen e tyre dhe zbardhjen e plotë të rrethanave.
Sipas hetimeve paraprake, pista kryesore lidhet me hakmarrjen. Dyshohet se ngjarja është vazhdimësi e një konflikti të vjetër, pasi në vitin 2016, viktima Kreshnik Mujeci, së bashku me vëllezërit e tij, kishte vrarë babanë e njërit prej të dyshuarve, Gegë Mhillaj.
Të dhënat e mbledhura nga kamerat e sigurisë tregojnë se atentati ka qenë i shpejtë dhe i organizuar, duke zgjatur pak më shumë se një minutë. Autorët, të cilët nuk kanë përdorur maska, kanë vepruar me qetësi dhe vendosmëri, ndërsa dyshohet se kanë përdorur dy automjete për realizimin dhe largimin nga vendngjarja./ Zoom.al