Aplikacion
Detaje të tjera kanë dalë në dritë lidhur me atentatin ku humbën jetën bashkëshortët Kreshnik dhe Gentiana Mujeci në zonën e Balldrenit, në Lezhë. Hetimet e policisë kanë çuar në zbulimin e automjetit të përdorur nga autorët dhe në sigurimin e disa provave të rëndësishme.
Sipas burimeve zyrtare, në fshatin Torovicë është gjetur një automjet tip “Volkswagen Polo” pa targa, që dyshohet se është përdorur në krim. Brenda mjetit janë sekuestruar dy gëzhoja, ndërsa nga verifikimet është konstatuar se makina kishte dëmtime në pjesën e pasme dhe anësore.
Në të njëjtin ambient, policia ka gjetur edhe një automjet tjetër të ngjashëm, por me dokumentacion të rregullt, çka ka ngritur dyshime se është përdorur për të krijuar konfuzion dhe për të fshehur gjurmët e autorëve. Po ashtu, në oborrin e banesës ku u gjet makina janë sekuestruar edhe rrobat e dyshuara të përdorura gjatë atentatit, si dhe një palë targa.
Nga hetimet paraprake rezulton se një prej të dyshuarve ka siguruar automjetin me qira në zonën e Rinasit, më pas i ka hequr targat dhe, në bashkëpunim me persona të tjerë, e ka përdorur për të bllokuar makinën e viktimave dhe për të qëlluar ndaj tyre. Pas krimit, mjeti është fshehur në oborrin e një banese dhe është mbuluar me bar për të humbur gjurmët.
Autoritetet kanë shpallur në kërkim një 22-vjeçar të dyshuar për përfshirje në ngjarje, ndërsa ndaj babait të tij është nisur procedim penal.